Fillimi i transmetimit të platformës televizive DigitAlb në vitin 2004 në Kosovë ishte hapja e një dritareje të re për një popull ende të trazuar. Kjo platformë u mundësoi teleshikuesve kosovarë të gjejnë frymëzim brenda një pakete të larmishme përmes programeve, emisioneve, filmave, ndeshjeve sportive e dokumentare për të gjitha grup moshat. Besueshmëria ndaj kanaleve tregohet edhe sot e kësaj dite, përmes pranisë së tyre në televizorët e pothuajse çdo familje e lokali.
Nga studiuesit e medias, DigitAlb po vlerësohet të ketë pasur rol edukativ në shoqërinë kosovare, në veçanti tek të rinjtë në standardizimin e gjuhës.
“Nëse shqiptarët historikisht kanë qenë të ndarë, DigitAlb i ka bashku trojet shqiptare. Sepse ajo çka transmetohet përmes televizionit e përçon më së miri kulturën te popullata. P.sh filmat e animuar të cilët janë të dubluar kanë ndikuar që të zhvillohet gjuha standarde tek të rinjtë. Trajtimi i emisioneve dhe temave të ndryshme prej gjithë trojeve shqiptare, ka bërë që të rinjtë si në Kosovë edhe në Shqipëri të njohin më mirë zhvillimet historike në të dy vendet dhe gjithë trojet tona”, thotë profesoresha Remzie Shahini Hoxha, doktore shkence për rolin e televizionit në shoqëritë në tranzicion. në Universitetin e Prishtinës.
Përveç edukimit, DigitAlb ka rritur konkurrencën brenda tregut të Kosovës, duke bërë që teleshikuesve t’u ofrohen informacionet përmes teknologjisë së fundit.
“Ka ndikuar që televizionet tona të investojnë në teknologji, sidomos në sistemin e rrjetit kabllor ka pas një ndikim të jashtëzakonshëm ka nxit konkurrentet që të ofrojnë shërbime ma të mira. Realisht DigitAlb nuk ka ndonjë konkurrent të denjë pasi me shërbimet që i ofron, të tjerët ende nuk i kanë arrit në Kosovë. Në aspekt teknologjik ka ndihmuar që qytetarët për me pas qasje në informacion ma të shpejtë dhe video më kualitative. Infrastruktura sa i përket shërbimeve të tilla ka qenë shumë ma e ulët para se DigitAlb të ishte në treg. E kjo i ka ndihmuar qytetarit që të jetë në hap me zhvillime teknologjike që janë të barabarta me shtetet e BE-së”, thotë profesor Alban Zeneli, i lëndës “Gazetaria Televizive” në Universitetin e Prishtinës.
DigitAlb është platforma e parë shqiptare që ka operuar me sinjal tokësor dhe atë satelitor duke i mundësuar edhe diasporës ta kenë me vete Shqipërinë.
Top Channel