Rreth 6 km larg qytetit të Vlorës kalaja e Kaninës vazhdon të mbetet një atraksion tërheqës për turistët vendas dhe të huaj. Numri i vizitoreve në kala është rritur edhe për shkak të përmirësimit të infrastrukturës rrugore nga Vlora në Kaninë.

Disa turistë polakë që vizitonin kalanë, shprehen të kënaqur nga eksperienca që po kalojnë me pushimet në Vlorë.

Ndërsa një grup turistesh katalanas thonë se kanë qenë shumë të interesuar për të vizituar kalanë e Kaninës. Madje një prej tyre thotë se Vlorën e ka pasur ëndërr ta vizitonte që në rininë e hershme, 30 vite më parë.

NjË vizitor nga Tirana shprehet se ka ardhur  në kala për të parë nga afër historinë që ajo mbart, pasi aty Skënderbeu është martuar me Donikën, një vajzë nga Kanina.

Kalaja e Kaninës, përmendet që në shekullin IV. Por, aty janë zbuluar gjurmë që prej periudhës ilire. Mendohet se është ndërtuar në shek., III. Gjurmë të mbetura në të janë ato të periudhave bizantine, veneciane dhe otomane.

Kalaja është rindërtuar nga Justiniani në shek., V dhe meremetuar nga sulltan Sulejmani më 1531. Ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh dhe ka një pamje panoramike drejt gjirit të Vlorës. Fare pranë gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës.

Top Channel