U shtojnë orët, mjekët: Po shkelet kontrata dhe Kodi i Punës”/ Ministria: S’plotësojnë 40 orë pune

13/07/2019 15:08

Një urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë ka zgjatur orarin e punës për personelin mjekësor në Qendrat Shëndetësore për turnin e dytë me gati një orë.

Sipas këtij urdhri, Qendrat shëndetësore tanimë hapen në orën 07:30 dhe do të mbyllen në orën 20:50. Ndërkohë që më parë hapeshin në 07:30 dhe mbylleshin në orën 20:10.

Por kjo kundërshtohet nga personeli mjekësor pasi sipas tyre u ndryshohet kontrata e punës në mes të vitit duke u shtuar një orë punë, e cila sipas tyre duhet t’u paguhet pasi është orë që i përket turnit të tretë të punës. Për këtë mjekët kanë bërë gati një peticion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë pasi sipas tyre ky urdhër shkel Kodin e Punës.

Ndonëse burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kjo është bërë pasi mjekët e qendrave shëndetësore nuk plotësojnë 40 orë punë në javë.

Kreu i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Petrit Frangu thotë se kjo zgjatje e orarit krijon shumë vështirësi për mjekët.

“Kemi shqetësime pasi orari i punës në verë me të vërtetë në atë orar është ende ditë. Nuk kemi qendra shëndetësore vetëm në Tiranë. Jashtë Tirane kanë mungesë infrastrukture, nuk ka siguri për mjekun”, u shpreh Petrit Frangu, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë.

Por nga ana tjetër vetë mjekët në peticion e kundërshtojnë këtë pretendim të Ministrisë se nuk plotësojnë 40 orë punë në javë duke argumentuar se ndonëse në kontratë e kanë të kryejnë 12 vizita në ditë, mjekët përballojnë 30 vizita në dite dhe pa pagesë shtesë për më tepër ata argumentojnë se nga ora 20:00 deri ne orën 20:50 nuk ka asnjë pacient që paraqitet në qendrat shëndetësore pasi u drejtohen spitaleve. Ndaj kërkojnë të shfuqizohet urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA