Rregjistrimi i popullsisë në ShBA, Trump u kërkon informacion agjensive federale

13/07/2019 04:38

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump hoqi dorë nga përpjekjet e tij për të shtuar një pyetje në formularin e regjistrimit të popullsisë në vitin 2020. Ai tha se ka vendosur të mbedhë informacione mbi njerëzit që banojnë në Shtetet e Bashkaura nëpërmjet agjencive të ndryshme federale. Në një fjalim të enjten, presidenti Trump fajësoi demokratët dhe gjykatat që ai i quan “jo miqësore”, për krijimin e pengesave ndaj asaj që ai thotë se ishte pyetje legjitime. Kritikët thonë se kjo çështje do të pengonte shumë banorë pa shtetësi, qofshin ligjërisht apo jo në Shtetet e Bashkuara, që të marrin pjesë në regjistrim dhe se shtrembërimi i rezultateve mund t’u japë republikanëve më shumë vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe avantazhe tjera.

Të enjten Presidenti Trump njoftoi një urdhër ekzekutiv për të gjitha departamentet dhe agjencitë federale që të dorëzojnë tek departamenti i tregtisë të dhëna mbi statusin e atyre që jetojnë në SHBA.

“Si rezultat i udhrit ekzekutiv, sigurohemi që regjistrimi i vitit 2020 numëron saktësisht banorët, ata pa shtetësi dhe emigrantët e jashtëligjshëm në Shtetet e Bashkuara”, tha presidenti Trump.

Zoti Trump tha se informacionet e mbledhura në këtë mënyrë janë më të sakta dhe gjithpërfshirëse, sesa përgjigja e një pyetje të vetme gjatë regjistrimit.

“Do të përdorim bazat e mëdha të të dhënave për të pasur numërim të plotë dhe të saktë të banorëve pa shtetësi, përfshirë edhe të dhënat që mbahen nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Administrata e Sigurimeve Shoqërore. Kemi shumë njohuri në agjencitë tona. Nuk do të lëm gur pa lëvizur”, tha presidenti Trump.

Presidenti tha se të dhënat mbi shtetësinë e njerëzve janë jetike në hartimin e politikave të shëndosha, si kujdesi shëndetësor, arsimi, të drejtat civile apo emigracioni. Ai fajësoi demokratët për bllokimin e kësaj përpjekjeje.

“Demokratët majtistë në vendin tonë po mundohen të fshehin numrin e të huajve të jashtëligjshëm”, tha presidenti Trump.

Ka shqetësime se administrata mund të përdorë të dhënat për të mbajtur fondet publike larg qyteteve me numër të madh emigrantësh duke investuar në zona ku repulikanët gëzojnë mbështetje.

“Kjo do të pengonte përfaqësimin e të rinjve që nuk kanë moshën e duhur për të votuar dhe pakicave racore që nuk janë shtetas. Do të krijonte ndarje që shkojnë në favor të Partisë Republikane, sepse shumica e votuesve të tyre duket se janë të moshuar dhe të bardhë nga zonat rurale”, tha William Frey i Institutit Brooking.

Ai thotë se duke eliminuar nga regjistrimi i atyre njerëzve që nuk mund të votojnë, krijohen rrethe legjislative me më pak popullatë pakicë dhe më shumë votues republikanë.

Presidenti Trump dhe Prokurori i Përgjithshëm William Barr, thanë se pyetja për shtetësinë ishte krejtësisht legjitime, por procesi ligjor për ta provuar këtë do të ishte tepër i gjatë dhe praktikisht i pamundur të bëhej brenda afatit./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA