Asambleja e Akademisë së Shkencave do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme pas vendimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të mos dekretuar Skënder Gjinushin në krye të këtij institucioni.

Asambleja do të mblidhet më datë 19 korrik, në orën 11:00, dhe në rend dite do të jetë shqyrtimi i propozimit të Këshillit Ekzekutiv drejtuar Asamblesë për të kërkuar rikonsiderimin e emërimit të Kryetarit të zgjedhur nga kjo Asamble.

Në një intervistë për Top Channel, Skënder Gjinushi, e quajti dekretin e presidentit të pavlefshëm dhe se zgjedhjet janë legjitime.

“Rezultati i zgjedhjeve është bërë publikisht i njohur dhe zyrtarisht dhe ligjërisht. Dhe është një rezultat i pa cënuar dhe i paprekur nga askush. Presidenti i Republikës nuk mund ta zhbëjë procesin zgjedhor të zhvilluar pranë këtyre institucioneve autonome. Kështu që dekreti është haptas nul, haptas një vendim absolutisht i pavlefshëm, sepse nuk ka asnjë referencë në ligjin e Akademisë së Shkencave, ku thuhet se mund të refuzohet emërimi”, u shpreh Gjinushi.

Top Channel