Për 20 mandatet e parë të votuar në KQZ për këshillat bashkiak në 20 bashki do të jetë Kolegji Zgjedhor ai që do të vendosë.
Kjo pasi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nuk u arrit kuorumi i nevojshëm për të marr vendim.
“KQZ më datë 10 korrik kaloi në mbledhje shpërndarjen e mandateve për 20 bashkitë e para. Për shkak se ky është një vendim që në batë të nenit 24 të Kodit Zgjedhor, ky vendim nuk u mor. Për këtë fakt një nga subjektet që merr pjesë në zgjedhje, PS, ka bërë padi në kolegj për të bërë Kolegji Zgjedhor më pas shpërndarjen e mandateve”, sqaroi Bledar Skenderaj, anëtar i KQZ.
Skenderaj sjell në vëmendje edhe rastin e zgjedhjeve të 2013-s, ku ishte Kolegji Zgjedhor ai që i certifikoi mandatet, për shkak se KQZ ishte me 4 anëtarë.
“Është një procedurë që është ndjekur edhe në vitin 2013-ë, kur KQZ ka pasur vetëm katër anëtarë dhe për shkak se nuk bëhej kuorumi për të arritur një vendimmarrje, Kolegji ka shpërndarë mandatet për të gjithë deputetët e Shqipërisë. Në rastin konkret jemi në zgjedhjet lokale, por është sërish e njëjta procedurë”, thotë ai.
Fundi i korrikut, duket se do të jetë edhe koha kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mendon qe të certifikojë edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Pasi të bëhet shpërndarja e mandateve nga Kolegji, në fund fare nxjerrin rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Besoj se ditët e fundit të korrikut do të jetë marrë ky vendim nga KQZ”, tha Skenderaj.
Top Channel