Klasikja e tenisit botëror, mes Rafael Nadal dhe Roger Federer, rikthehet për këtë vit.
Këtë radhë dy tenistët që së bashku kanë 38 tituj “Grand Slami”, do të luajnë në gjysmëfinale të Wimbledonit, kompeticion ku ata prej 11 vitesh nuk viheshin përballë njëri-tjetrit.
Nadal eliminoi në çerekfinale amerikanin, Sam Querrey, që e mundi 3-0. Seti i parë u komplikua për Nadal, që e fitoi 7-5. Në dy setet e tjerë, spanjolli ishte dominues dhe i mbylli 6-2;6-2.
Roger Federer nga ana e tij, eliminoi Kei Nishikorin duke e mundur me rezultatin 3-1, për të regjistruar fitoren e tij të 100 në turneun historik të Wimbledonit.
Japonezi ishte ai që e nisi më mirë takimin, teksa fitoi setin e parë 6-4. Më pas gjithçka foli për zviceranin, që fitoi 3 setet e tjerë 6-1;6-4;6-4.
Novak Djokovic nuk i ndahet skuadrës së 3 musketierëve të tenisit. Numri 1 i renditjes botërore fitoi ndaj belgut David Goffin, me rezultatin 3-0. Tenisit serb nuk u lodh shumë në këtë përballje, setet e së cilës i fitoi 6-4;6-0 dhe 6-2 dhe në gjysmëfinale do të përballet me spanjollin Roberto Bautista Agut, që për herë të parë arrin në këtë fazë të kompeticionit.
Agut e shkroi emrin mes 4 më të mirëve të Wimbledonit, pasi mundi Guido Pellan 3-1 me sete 7-5; 6-4; 3-6; 6-3.
Top Channel