Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po zhvillon seancën me gjyqtarin Ilir Mustafaj, kandidat për Gjykatën Kushtetuese. Mustafaj është kandidati i dytë që i nënshtrohet procesit të rivlerësimit nga kandidatët për ‘Kushtetuesen’, ndërkohë që kandidatja e parë, Regleta Panajoti, e kaloi me sukses procesin. KPK pritet të caktojë datë për vetting-un edhe për Anila Kristanin.
Duhet që tre gjyqtarë të rivlerësohen në mënyrë që Komisioni i Emërimeve në Drejtësi të bëjë pikëzimin e të gjithë kandidatëve.

Kjo është seanca e dytë që zhvillohet në KPK për Mustafajn, dhe kreu i trupit gjykues, Lulzim Hamitaj ka deklaruar se për Mustafajn KPK ka vendosur të kryejë rivlerësimin e tij vetëm në një kriter, atë të pasurisë.

Top Channel zbardh diskutimet që po zhvillohen në seancën e KPK-së

Lulzim Hamitaj, KPK: Sipas ILDKPI, Mustafaj nuk ka fshehje të pasurisë. Nga analiza e KPK-së ka rezultuar se ka mospërputhje përsa i përket deklarimit të pasurisë së një apartamenti banimi, 121 m2. Në deklarimin e pasurisë nuk deklarohet kontrata, ka mospërputhje përsa i përket çmimit.

Ka mospërputhje se në deklaratë thuhet që vlera i ka kaluar shoqërisë, por nga informacioni bankar shuma i është kaluar administratorit të shoqërisë.

Për vlerën e detyrimit të mbetur prej 7 mijë euro nuk ka dokument provues se e ka shlyer vlerën.

Ilir Mustafaj: Përpara se të jap shpjegimet e mia, dua të shpreh pretendimet mbi standardet e një procesi të rregullt ligjor. Dua të tërheq vëmendjen tuaj për proces të paanshëm.

Po ju sqaroj pse e ngre këtë pretendim.

Kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të më beni të ditur të treja komponentët e vetting-ut dhe jo mbi një.

Së dyti, jam kërkuar për t’u paraqitur në seancë dëgjomore më 14 qershor. Më ka ardhur e-mail 49 orë pasi dorëzova letrat. Kërkova  të shtyhej seanca pasi në të njëjtën datë isha në një proces gjyqësor mjaft të rëndësishëm në Elbasan.

Shkova në Elbasan dhe zhvillova gjyqin, pastaj në ditën më të rëndësishme të jetës sime dola përpara jush.

Erdha në datën 14 dhe ju solla prova. Për ju mund të jenë thjeshtë fletë, për mua janë fletët e jtës sime profesionale me të rëndësishme.

Lulzim Hamiraj e ndërpret: Ju lutem fokusohuni, pretendimet tuaja i kemi patur gjatë komunikimit me e-mail. Ju jeni këtu një muaj pasi zhvilluam seancën e parë.

Ilir Mustafaj: Më ka ardhur nga KPK vendimi për rrëzimin e kërkesës për përjashtimin e relatores nga çështja ime. I jam drejtuar në datën 28.6.2019 duke i kërkuar Komisionit vendimin e zbardhur. Pse e ngrita problemin e procesit të rregullt ligjor? Sepse në proces është marrë një provë në kundërshtim me ligjin, për bisedën në telefon, me çfarë numri është folur, çfarë është folur…

Zonja relatore tha se i është lënë subjektit barra e provës. Zonja relatore, ju e keni shprehur mendimin tuaj në faqen 4, në lidhje me vendimin kur kërkova dorëheqjen tuaj.

E dëgjova me shumë vëmendje relatoren, nuk ka asnjë qëndrim çfarë ka sjellë në raport, megjithëse unë solla shumë prova. Edhe për opinionin edhe për ju, u bëj të qartë se kush është pasuria ime: Një apartament 121 m2 i marrë me kredi, një automjet i blerë në vlerën 430 mijë lekë dhe një tokë bujqësore e blerë në vendlindjen time për të kujtuar të kaluarën e cila ka qenë e hidhur.

E gjithë kjo pasuri vlen 6.4 milionë lekë, plus moblimin 1.1 milion lekë.

Top Channel