Godinat e “Qyteti Studenti” po rikonstruktohen njëra pas tjetrës .Sapo kanë përfunduar punimet në godinën 9 dhe 10 ku strehohen 600 vajza.

“Jam shumë entuziast kur shikoj se si shumë nga kantieret që filluam në “Qytetin Studenti” po mbyllen. Konvikti 9 dhe 10 ka 200 dhoma, më i madh se hoteli më i madh në Tiranë. Të bësh një rikonstruksion hoteli merr 1 apo 2 vjet, por ta bësh në 1 apo 2 muaj është realisht një arritje e jashtëzakonshme. Dua të falenderoj të gjithë ata që kontribuan. Skepticizmi i ditëve të para, kur kryeministri dhe kryetari i bashkisë dhanë premtimin se do bëheshin brenda verës, tani është shuar sepse gjithsecili mjafton të bëjë një xhiro dhe të zbulojë se si është mbajtur fjala në çdo pikë të kontratës për Paktin me Universitetin”, ka thënë Veliaj.

Veliaj u shpreh edhe për situatën e zhurmshme politike në vend.

“Një nga gjërat që më shqetëson më shumë me gjithë tollovinë, me protestat, sherret, është se ka një grup të vogël politikanësh që duan ta çojnë vëmendjen e miletit te hallet e tyre. Ndërkohë, sforco jonë është që vëmendjen, energjinë, financat tona dhe gjithë përkushtimin, ta çojmë te hallet e njerëzve. Në rastin konkret te hallet e studentëve, pra tek dushet, higjiena, kushtet në konvikte, te Kampusi i Ri. Unë besoj se këtu ka dy lëvizje paralele: Një që thotë merruni me hallin tim dhe tjetra që thotë merremi me hallin real të njerëzve. Unë besoj se do të fitojë lëvizja e dytë”, ka thënë në fjalën e tij Veliaj.

Veliaj u kërkoi studentëve që të regjistrohen në gjendjen civile, në zonat ku jetojnë ,vlen kjo edhe për studentët të cilët marrin banesa me qira , në mënyrë që sipas tij të shpërndahen shërbime dhe investimet e bashkisë.

Top Channel