Opozita kërkon transparencë për atë që e cilëson manipulimin e 30 Qershorit, ndaj partitë e koalicionit i kërkojnë zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’u vërë në dispozicion materialet zgjedhore të 30 Qershorit.
Opozita thotë se synon që, përmes këtyre materialeve, me të drejtën që i garanton ligji, të dëshmojë para opinionit publik manipulimet e mëdha të kryera më 30 Qershor.
Kërkesa e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, në emër të partive të koalicionit opozitar, përfshin 8 elementë: Kopje të printuara të listave zgjedhore për çdo qendër votimi, Tabelës Përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore nga KQZ-ja dhe për çdo njësi të qeverisjes vendore nga KZAZ-ja.
Po ashtu opozita kërkon kopje të vërtetuara të tabelave të rezultateve për çdo qendër votimi nga grupet e numërimit dhe të procesverbaleve TIP për mbylljen e votimit për qendër votimi.
Në kërkesën e saj opozita thotë se kërkon kopje të vërtetuara të listës së anëtarëve të administratës zgjedhore, të emëruar kryesisht nga KQZ dhe KZAZ përkatëse, Kopje të regjistrimit të kamerave të të gjitha tavolinave të numërimit në çdo grup të numërimit të votave si edhe kopje të regjistrimit të kamerave të ambienteve të brendshme të KZAZ-ve.
Sipas opozitës, ky nuk është sekret dhe dhënia e këtyre materialeve i garantohet me ligj.
Top Channel