Pas mesazhit për kryeministrin Edi Rama, se të bësh not në det është më mirë se sa të notuarit në pishinë, presidenti Ilir Meta ka zgjedhur të përcjellë një tjetër mesazh kësaj here duke përdorur qenin Darko.

Megjithëse disa mijëra kilometra larg Tiranës, nga Jahorina e Bosnjës presidenti Meta nuk ndalet së menduari për Shqipërinë, ku spirajla e krizës politike duket se ia ka lënë vendin mesazheve të kodura përmes kafshëve.

“Ju përshëndes me Darkon, mikun tim më të ri nga Jahorina e Bosnjë, pas një shëtitje mjaft të këndshme. Përshëndes në veçanti Sashën, macen time të dashur, pasi ngjajnë shumë, e shpresoj të takohen së shpejti. Thonë që macet e qentë nuk shkojnë, por ky nuk është rasti”, u shpreh në videomesazh, Presidenti Meta.

Pas përkëdheljes së Darkos presidenti vijoi axhendën e takimeve me homologun . Maqedonisë së Veriut, z.Stevo Pendarovski. Të dy vendet tona thotë presidenti Ilir Meta duhet të bashkojnë përpjekjet për çeljen e negociatave për anëtarësim në tetor. Duhet të përfitojmë nga ky momentum mjaft pozitiv që ka krijuar Marrëveshja e Prespës, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut.

Presidenti nuk ka harruar të përkujtojë mbushjen e plot 30 ditëve sot nga zhdekretimi datës së zgjedhjeve.

“Ndërkohë sot bëhet një muaj i shpërdoruar kot që nga dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, për arritjen e një zgjidhje gjithpërfshirëse që forcon besueshmërinë e vendit për zgjedhje të lira e të ndershme”, shkruan Meta.

Presidenca publikoi edhe një foto të presidentit Meta në çarshinë e Sarajevës me kampionen e botës, Majlinda Kelmendi dhe ekipin e xhudos së Kosovës.

Mirëmëngjes të dashur miq nga Jahorina e Bosnjës!Unë e nisa mbarë ditën sot me Darkon. Uroj një ditë të mbarë edhe për ju!

Posted by Ilir Meta on Tuesday, July 9, 2019

Top Channel