Shalqiri është fruti më hidratues i stinës së verës. Disa ditë më parë fermerët e Lushnjës thanë se ky frut u ka mbetur pa shitur edhe pse çmimi i tij është tepër i ulët.
“Sot shalqiri po shitet për turp me 10 lekë. Dje është shitur 50, 60, 70 lekë. Sot nuk e dimë, ja jemi në pritje” , thonë fermerët.
Qytetarët kanë frikë ta blejnë frutin pasi mendojnë se ngarkesa e madhe me pesticide dhe shartesa me kungull do të ndikojë negativisht tek shëndeti i tyre.
” Unë kam blerë vetëm njëherë edhe s’kam blerë më. Mbante era kungull”, shprehet një konsumator.
“Çfarë meraku keni? Vetëm shtimin e hormoneve?”, e pyet gazetarja e Top Channel, Rudina Muça.
” Ndonjëherë kanë shije, ndonjëherë i hedh se janë si kungull. Ja, mendo! Të gjitha gjërat që blejmë i marrim kot sa për të mbushur barkun. Nuk blej më shalqi sepse nuk më ka pëlqyer fare “, ankohet një qytetar.
” Është komplet bostan nuk ka asnjë lloj shije, asnjë lloj ere shalqi”.
“Çmimi tani është ulur do ta blini?”, pyet gazetarja. “Çmimi është ulur, por kanë humbur vlerat”, kthen përgjigjen qytetari.
” E blejnë me frikë. Kur e shikojnë që jashtë është shumë vapë, u thahet buza dhe vijnë dhe e marrin ndonjë kokërr. Unë kam 28 vjet që tregtoj këtë frut. Sa vjen e rritet cilësia në drejtim të pjekjes. Vite më parë na dilte 10-15% shalqi i bardhë, këto katër vitet e fundit rast i rrallë të dalë ndonjë i papjekur “, rrëfen një shitës.
Ardian Citozi, prodhues dhe eksportues i shalqirit thotë se shartesa me kungull nuk e prish shijen e frutit, por ai nuk përjashton edhe rastet abuzive.
” Një gjë e tillë bëhet dhe për shkak të tokave, pasi janë të infektuara nga nematodat e tokës.Kungulli rritet në kushte të vështira ku ka nematoda, por kjo nuk ndikon tek shija e frutit. Nëse shalqiri është i kalbur është gabim i fermerit dhe tregtarit që e çon atë tek konsumatori”, thotë ai.
Agronomët tregojnë se përse këtij fruti i mungon shija.
“Për të krijuar një prodhimtari të hershme përdoren disa metoda që nuk janë tradicionale për pjekjen e shalqirit. Përdoret shartimi me kungull, përdoren hormone për prodhimin e frutit pa farë. Po ta hapësh një shalqi në mes do të dalë zemra e bardhë dhe e ndryshuar me disa fare ndryshe nga ç’jemi mësuar. Kjo tregon që aty është përdorur hormon. Fermeri është viktimë e kësaj situate, përgjegjës është shteti pra Shërbimi Këshillimorë që është shumë larg fermerit”, thotë Arben Shyti, agronom.
Se sa cilësor është ky frut këtë përgjigje konsumatorit shqiptarë duhet t’ia japë AKU dhe ISUV.
Top Channel