Me 5 vota pro, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar kalimin në seancë të 37 nga 38 ankesat e depozituara nga Bindja Demokratike, për zgjedhjet e 30 qershorit në 38 Bashki.
Anëtarët e KQZ kanë argumentuar se kërkesat ankimore të Bindje Demokratike, në aspektin formal janë në rregull, por kjo forcë politike nuk ka mundur të paraqesë prova për shtimin e fletëve të votimit.
Pretendimi për shtim fletësh votimi gjatë procesit të votimit, si edhe ndryshim rezultati në të gjitha Qendrat e Votimit të kësaj Zone Zgjedhore, bazohen në gjetjet e vëzhguesve të tyre. KQZ i dha mundësinë ankuesit të sillte fakte dhe të tregonte prova, ky i fundit nuk arriti të plotësonte kërkesën me këto elementë”, u shpreh Rezarta Bitri, anëtare e KQZ.
E vetmja kërkesë e cila nuk do të shqyrtohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në seancë, ka qenë ajo e Vlorës.
“Kjo është sjellë tre ditë përpara se të merrej vendimi. Ku e dinin ata se do ta miratonim tabelën ne, po të mos e kishim miratuar tabelën”, tha anëtari i KQZ, Skënderaj. Ndërsa kreu i KQZ, Zguri u shpreh: “Pamundësia e KQZ për të arritur kuorumin, le të njoftohet subjekti në fjalë dhe le të kërkojë zgjidhje ligjore në Kolegj”.
Në mbledhjen e KQZ gjatë relatimit të 38 kërkesave ankimore, të pranishëm kanë qenë dy vëzhgues të OSBE-së.
Top Channel