Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në parlament, duke mos kursyer akuzat ndaj presidentit Meta.
Rama tha se e dinte se lufta e opozitës për të prishur zgjedhjet do ishte një vrimë në ujë por se nuk e kishte menduar se do të numëronin gabim, duke mbrojtur shifrat e kontestuara nga opozita të KQZ për votimin e 30 qershorit.
“Kurrë mos e ndalo kundërshtarin që po gabon, por sot ne nuk jemi mbledhur të ndalojmë një kundërshtar, Meta nuk duhet ndaluar në marshimin e tij vetë shkatërrues, politikisht ai na e bën të lehtë pozicionin tonë në sy të popullit, sepse shihet armiqësia e tij ndaj nesh.
Lidhur me pjesëmarrrjen e ulët në zgjedhje dhe raportin e ODHIR, e kam thënë disa herë gjatë fushatës se lufta e tyre për të prishur zgjedhjet do ishte një vrimë në ujë , e vetmja gjë që s’kam menduar është se do numëronin gabim, estradë hesapi.
Janë po këta që e kundërshtojnë përfshirjen e votës së emigrantëve në kodin zgjedhor, megjithëse nga zgjedhjet e ardhshme ne do ta përfshijmë atë në kod zgjedhor, uroj dhe me dakordësinë e opozitës parlamentare.
Pjesëmarrja e 30 qershorit ka kaluar pritshmëritë tona duke marrë parasysh atmosferën në të cilën u zhvilluan, 19,7 për qind.
Krahasuar me 4 vite me parë ky numër është vetëm 4 përqind më pak, po të kishte qenë një garë normale pa diskutim kjo përqindje do ishte më e lartë.
Ta lexosh si refuzim popullor ndaj meje, si tkurrje elektorale e qeverisë, do thotë të mos kuptosh çfarë vjen më prapa.
Opozita ska shanse fitoreje, edhe kur flasin për raportin e ODHIR, i cili ka pasqyruar me korrektesë procesin, nisur nga klima.
Mungesa e qytetarëve për pjesëmarrjen në zgjedhje e nënvizuar në raport, është fakt, por ka ardhur nga kërcënimi i vazhdueshëm për dhunë dhe ndërhyrjes së Metës me anti dekretin e tij skandaloz.
Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike, ne do ta depolitizojmë administratën”, tha Rama.
Top Channel