Kryeministri i dinasitisë Miçotaqis kritik me Shqipërinë/ Kushte për hapjen e negociatave

08/07/2019 15:19

Kyriakos Mitsotakis, ka politikën që i rrjedh në vena. Babai i tij, Kostandin Micotaqis, ishte Kryeministër në fillim të viteve 90 dhe motra e tij, Dora Bakojanis, Kryebashkiake e Athinës, kur qyteti priti lojërat olimpike në 2004, para se të bëhej Ministre e Jashtme.

Bashkë me familjen socialiste, Papandreu dhe atë konservatore Karamanlis, familja Micotaqis ka dominuar politikën greke për vite të tëra.

Kur Demokracia e Re, konservatore, u rrëzua nga pushteti, në janar 2015, nga Syriza radikale e majtë, pati një ndjesi revolucioni.

Garda e vjetër, u duk se ishte shembur, e fajësuar për zhytjen e ekonomisë në krizë dhe dënimin e grekëve me masat shtrënguese të kursimit.

Qiriako Micotaqis ishte pjesë e asaj qeverie të fundit konservatore, në postin e ministrit për reformat administrative, me detyrën që të shkarkonte mijëra shërbyes civilë, me qëllim që të plotësoheshin kushtet e paketave ndërkombëtare të shpëtimit.

I konsideruar një liberal, Micotaqis, 51 vjeçar, mori drejtimin e Demokracisë së Re në janar 2016, një vit në të cilin u mbajtën dy palë zgjedhje dhe një referendum.

Ai përfitoi nga zemërimi popullor ndaj Tsiprasit, veçanërisht pas marrëveshjes për emrin e Maqedonisë së Veriut, duke e akuzuar atë se po përçante popullin.

Në fund të majit, partia e tij fitoi zgjedhjet Europiane me 33 për qind të votave, ndërsa Syriza ra nën 24 për qind. Dhe ky, ishte një sinjal më shumë se i qartë.

Përsa i takon Shqipërisë, Micotaqis ka përdorur tone të ashpra, duke paralajmëruar pengesa nga ana e Greqisë, për çeljen e negociatave. Ai është treguar i ashpër edhe me emigrantët, duke shprehur rezerva për qëndrimin e tyre në Greqi, ndryshe nga Tsipras, që legalizoi shumë emigrantë, veçanërisht nga Shqipëria, dhe ofroi ndihma financiare e lehtësi fiskale për ta.

Babai i tij, Konstandin Micotaqis, kur ishte në pushtet, urdhëroi operacionin që mbahet mend me emrin “fshesa”, kundër shqiptarëve, që i në ato vite i drejtoheshin në masë vendit fqinj. Tani, ai që nga rivalët quhet ‘princi i kurorës’ i politikës greke, po nxiton tia kthejë greqinë qendrës së djathtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA