Ilir Meta “duhet ndëshkuar deri në fund në Kuvend dhe reagimi ynë si deputetë duhet të jetë frontal, në emër të Kushtetutës.” Kjo ishte porosia e kryeministrit Edi Rama për deputetët në Kuvend, ku po diskutohet për ngritjen e një komisioni hetimor kundër Presidentit të Republikës.

“Në këtë pikë, graviteti i parimeve themelore të Kuvendit është një emërues që duhet të na bashkojë. Ilir Meta nuk është më thjesht kundërshtari i njohur i Qeverisë, por armiku i hapur i Kushtetutës. Ai sot është armiku i deklaruar i Parlamentit të Shqipërisë. Nuk është më thjesht vetëm politikani i frikësuar deri në palcë nga reforma në drejtësi, ai është shëmbëlltyra i të tremburve nga drejtësia, i cili edhe mbi shtrirjen e rrezes së agresionit ndaj partnerëve, na dëmton ne si deputetë, si qytetarë, si popull, si shtet”, u shpreh Rama nga foltorja.

Ai komentoi edhe kritikat e Metës ndaj ambasadave të huaja në Tiranë, duke theksuar se presidenti “e mendon Ambasadën Amerikane si topin që i vendos gjoksin e trupit me kostum banjo.”

Kryeministri Edi Rama e akuzoi ashpër presidentin Ilir Meta për të cilin tha se “e ka derdhur kupën” dhe se ka synuar destabilitet politik dhe institucional. Ai theksoi se me shfuqizimin e 30 qershorit, presidenti kërkoi nxitjen e dhunës në bashkitë e drejtuara nga opozita.

Mazhoranca e Partisë Socialiste kërkon shkarkimin e Ilir Meta nga detyra e presidentit, pas shfuqizimit të 30 qershorit, dhe për këtë arsye kërkon sot ngritjen e një komisioni hetimor. Gjithsesi, shkeljet për të cilat akuzohet presidenti duhen konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ende nuk është ngritur.

  Rama: Meta nuk duhet ndalur në marshimin e tij vetë shkatërrues

Top Channel