Policia e Korçës ka arrestuar shtetasin E.A., 39 vjeç, për shkak se ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të një banese.

Mbrëmjen e djeshme, policia është njoftuar se në lagjen nr 7 në Korçë, një shtetas kishte qëlluar në drejtim të një banese me armë gjahu dhe po lëvizte në qytet me armë të cilën e posedonte pa leje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kanë shkuar menjëherë në adresën e denoncuar ku kapën në flagrancë shtetasin E.A, banues në Korçë, i cili për motive të dobëta dyshohet të ketë qëlluar në drejtim të oborrit të banesës së shtetasit D.K.

Në cilësinë e provës materiale këtij shtetasi iu sekuestrua 1 armë gjahu tip çifte me fishekë.

Shtetasi E.A, (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”) u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”; “Prishja e qetësisë publike”;  “Kanosja” dhe materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Top Channel