Qeveria e Kosovës nuk ndaluar hyrjen në Kosovë për zyrtarët nga Serbia, dhe kjo është konfirmuar nga kabineti i kryeministrit Ramush Haradinaj.
Sqarimet vijnë një ditë pasi Ministria e Punëve të Jashtme, në Kosovë, përmes shefit të kabinetit të Ministrit të Jashtëm, Jetlir Zyberaj, ka komunikuar lajmin për marrjen e vendimit për të mos lejuar hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë.
Ndërkohë që edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, nga samiti i Poznanit në Poloni, thotë se i është thënë nga kryeministri kosovar, se bëhet fjalë për një lajm të rremë.
“Kam dëgjuar nga Haradinaj se është lajm i rremë, që zyrtarëve serbë u janë ndaluar vizitat në Kosovë. Unë çuditem se si lajmet e gënjeshtërta në Prishtinë po shpërndahen nga këshilltarët, e të ashtuquajturit Ministër të Punëve të Jashtme”, ka thënë Brnabic.
Në lidhje me këto zhvillime, një ditë më parë reagoi edhe zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq. Ajo tha se BE-ja pret që të dyja palët t’i respektojnë marrëveshjet tashmë të nënshkruara në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, përfshirë edhe marrëveshjen për vizitat e zyrtarëve.
Top Channel