Për herë të gjashtë brenda një dekade dhe për herë të parë që kur vendi ka dalë nga programet e ndihmave financiare, greket shkojnë në zgjedhjet parlamentare këtë të diel,  për të zgjedhur një qeveri të re.

Megjithëse vjen nga një humbje prej 9,3 pikesh në zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe ato bashkiake të zhvilluara në fund të majit, kryeministri Alexis Tsipras, vazhdon të besojë se mund të pretendojë fitoren, duke ju kërkuar qytetarëve një shans të ri për të qeverisur, tashmë i lirë nga kreditoret e huaj siç ka theksuar në dy mitingjet e fundit në Patra dhe Selanik.

“Ky miting i sotëm çon një mesazh të përmbysjes së rezultatit në të gjithë Greqinë. Le të mos nxitohen të kthehen princërit në fronin e tyre. Populli grek nuk e ka thënë ende fjalën e tij të fundit”, tha Tsipras .

Nga ana tjetër, i sigurt për fitoren ,rivali i tij konservator , Mitsotakis premton investime të reja, taksa më të ulta ,paga më të mira dhe përforcim të rendit publik.

“Ju kërkoj të më jepni fuqinë që t’i shërbej vendit tim, të bashkoj grekët dhe të qeveris me efikasitet me armën e fuqishme të së vërtetës!”, tha  Kyriakos Mitsotakis,  lideri i Demokracia e Re.

Janë të paktë ata që besojnë se SYRIZA mund të kthejë rezultatin, pavarësisht disa masave pozitive që ka marrë për shtresat në nevojë, ndërsa analistët vlerësojnë se rol kryesor në këto zgjedhje do të luajë vota e shtresës së mesme ,e gjunjëzuar në vitet e gjata të krizës. Konservatorët nga ana e tyre, përveç komoditetit të fitores që u japin sondazhet , po përpiqen të sigurojnë përqindje sa më të madhe për të siguruar shumicën parlamentare dhe rrjedhimisht një qeveri  pa partner koalicioni. Në rast të kundër, vendi mund të shkojë përsëri në zgjedhje të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA