Burime për Top Channel bëjnë me dije se kreu i KQZ-së, Klement Zguri është marrë në mbrojtje nga Garda e Republikës për shkak të kërcënimeve që ka marrë pas votimeve të 30 qershorit. Të njëjtat burime sqarojnë se Zguri është kërcënuar me mesazh në ‘Facebook’, nga shtetasi E.Pjetrini, që i ka shkruajtur: “O m*t, do të vras ty edhe familjen.”

Pas këtij mesazhi, Garda i ka rikthyer mbrojtjen Klement Zgurit, e cila i ishte garantuar edhe përpara procesit të votimit, së bashku me anëtarët e tjerë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ai po ruhet aktualisht nga katër punonjës të Gardës së Republikës.

Ndërkohë lokalet e 30 qershorit nuk kanë kaluar pa kontestime të rezultatit. Bindja Demokratike ka ankimuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezultatet e zgjedhjeve për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiak.

“Ne kontestojmë të gjithë procesin. Ne kemi pasur kandidatura vetëm në 41 njësi vendore, për këtë arsye kërkojmë që të ribëhen zgjedhjet në këto bashki. Sipas vëzhguesve tanë ka pasur mbushje të kutive të votimit edhe në emra të personave që nuk kanë votuar fare. Fenomeni i dytë është ndryshimi i shifrave në tavolinën e numërimit”, u shpreh Fabian Topllaj, nismatar i BD.

Në mbledhjen e sotme KQZ miratoi me katër vota pro dhe një kundër rezultatet për kryebashkiakët dhe këshillat bashkiak të Durrësit, Fierit, dhe Lezhës.

Top Channel