Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se plakja e popullsisë e shoqëruar me emigrimin masiv kanë filluar të dëmtojnë ekonominë shqiptare dhe perspektivën e saj për të ardhmen.

Forca e punës parashikohet të tkurret në mënyrë thelbësore gjatë tre dekadave të ardhshme. Kjo rënie ka filluar sakaq, pasi në periudhën 2015-2019, popullsia në moshë pune është ulur me 0.6 për qind.

Puna është një nga faktorët kryesorë të prodhimit në një ekonomi. Më pak punë do të thotë më pak prodhim. Por dëmtimi i rritjes ekonomike nuk është pasoja e vetme negative. Përkeqësimi i treguesve demografikë rëndon edhe financat e shtetit.

Gjatë periudhës 2015-2019 numri i pensionistëve u rrit me 12%. Plakja e popullsisë mund të rrisë kostot e buxhetit për shëndetësinë dhe pensionet.

Përkeqësimi i treguesve demografik në Shqipëri vjen nga dy fronte. Përveç rënies së lindshmërisë, forca e aftë për punë po gërryhet edhe nga emigracioni, veçanërisht i trurit. Kjo ka dhe një pasojë të tretë frenuese për ekonominë.

Plakja e forcës punëtore dhe emigrimi i trurit mund të përkeqësojë produktivitetin mesatar të punës në ekonominë shqiptare”

Sipas FMN së bashku me varësinë e lartë nga kushtet klimaterike, plakja e popullsisë janë dy risqet më të mëdha për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. Për të zbutur këto rreziqe ekspertët e fondit i kanë këshilluar qeverisë që të forcojë financat e shtetit duke rritur të ardhurat nga taksat si dhe të rinisë reformat strukturore, të cilat sipas FMN-së janë ngadalësuar ndjeshëm në mandatin e dytë të qeverisë, që kur përfundoi programi me fondin.

Top Channel