Thirrjen për të marrë me vete fëmijët në protestën kombëtare të opozitës, Lulzim Basha e përsëriti sërish.

Ajo e 8 korrikut do të jetë protesta e parë pas zgjedhjeve, ndaj mesazhi kryesor, të cilin e bëri publik vetë kryetari demokrat, do të jetë ajo që ndodhi më 30 qershor.

Me herët Partia Demokratike denoncoi me pamje filmike mbushjen e kutive të votimit, në Kavajë, nga komisionerë të Partisë Socialiste.

“Mund ta shihni ka edhe badge-n e anëtarit të Komisionit, plotësojnë fletën e votimit komisionerët dhe mbushin kutitë më pas ulet tek tryeza e komisionit. Ky komisioner dhe të gjithë këta komisionerë do të mbajnë përgjegjësi penale për veprën penale të mbushjes së kutive.
Identifikojnë zgjedhësit pasi marrin informacionin telefonikisht; marrin të dhënat dhe kartën e identitetit të zgjedhësve që nuk vijnë dot të votojnë, përfshi edhe emigrantë, dhe këtë gjë e bëjnë në mënyrë individuale, në mënyrë që të kontrollojnë fluksin e votimit, por siç e shihni, aty nuk ka asnjë votues të paraqitur”, ka thënë Oerd Bylykbashi.

Në një tjetër dalje, demokratët bënë publike 20 bashkitë, që sipas saj pjesëmarrja u ndryshua nga 5 përqind deri ne 45 përqind.

“Gjithmonë, duke marrë në konsideratë të dhënat e falsifikuara të vetë KQZ-së, ndryshimi i pjesëmarrjes nga deklarimet e mbrëmjes së 30 Qershorit tek finalja, është i drastik për 1/3 e bashkive të vendit. Falsfkimi nuk lëviz me 1 përqind, por me 5, 10, 20, 30 dhe 40 përqind”, është shprehur në fjalën e tij Ivi Kasa.

Në daljen e tretë, brenda ditës, demokratët dënuan kërcënimin e kryetarit të KQZ.

Edi Paloka pasi bëri përgjegjës Kryeministrin, kërkoi arrestimin e autorit.

Top Channel