Presidenti i Republikës, Ilir Meta është duke udhëtuar drejt Tropojës, por pas leximit të shtypit të ditës, ka vijuar me refleksionet për atë që e quan “Ramaformë”. Ai thotë se kur të jetë më i lirë dhe të shkruajë me terezi, shqiptarët “do të kenaqen” kur t’u tregojë se pse sot pas tre vitesh nuk ka asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Askush më mirë se unë nuk ua tregon dot, thotë Meta, jo se jam ndonjë tregimtar i madh, por për shkak të detyrave të larta edhe si ish-kryetar i Kuvendit e si President i Republikës.

Presidenti vijon edhe sulmet ndaj ndërkombëtarëve kur shkruan se: “Të jeni të sigurt se fajin nuk e ka Reforma e bërë me 140 vota në Kuvend tre vjet më parë, por transformimi i saj në Ramaformë bashkë me një kor të strukturuar ndërkombëtar që nuk do të pranojë bashkëfajësinë për këtë dështim që po e vuajnë qytetarët, ekonomia dhe biznesi.”

Meta shton: “Shpresoj që këto “arritje” të Ramaformës të mos i mësojnë Profesorët e nderuar të Komisionit të Venecias, të paktën gjatë verës, se më e pakta do kalojnë në gjendje të fikti, përveçse s’do e kuptojnë kurrë pse duhet të punonin e studionin për mëse një vit me intensitet aq të lartë e të vinin e të iknin shumë herë kur këtë Ramaformë mund ta kishte mbyllur z.Agaci për një javë dhe disa miq të inamoruar pas reformës të brohorisnin “È buono per l’Albania”.

Në fund, Presidenti u përgjigjet edhe akuzave që bëhen ndaj tij, se i trembet reformës në drejtësi dhe institucioneve të reja që do të ngrihen.

“E di që disa do thonë se kam frikë nga Reforma në Drejtësi e sidomos nga Spaku. Pa merak për të gjithë sepse sapo kalova edhe Spaçin. Kalofshi bukur sot të gjithë”, shkruan Meta.

Top Channel