Policia e Kavajës arrestoi sot në flagrancë 5 persona, si dhe shpalli në kërkim një tjetër në lidhje me vrasjen e kalimtarit dhe plagosjen e 5 të tjerëve. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë rreth orës  12:20, në lagjen Nr.4, në afërsi të Teqesë në Kavajë

Arrestimet e sotme me urdhër të Prokurorit

Prokurori që po heton ngjarjen e rëndë ka kërkuar arrestimin në flagrancë për  5 shtetas dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, të akuzuar për një sërë veprash të penale. Në pranga ka rënë Marjus Aliaj, 31 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Nr. 1 Kavajë. Ndaj tij rëndon akuza  “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Të njëjtin fat ka pasur edhe shtetasi  A.D., 43 vjeç, lindur dhe banues n lagjen Nr. 4 Kavajë, i dënuar më parë. Ndaj tij rëndon akuza  “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë’ dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. Gjithashtu policia ka vënë në pranga shtetasin E.H., 22 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 5 Kavajë, për veprat penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”; Q.M., 25 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 5 Kavajë, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” dhe  A. K., 39 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Nr. 6 Kavajë, për veprat penale të “Moskallëzim i Krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit D.A., 33 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Nr. 1 Kavajë, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim, e ngelur në tentativë’ dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Provat materiale të sekuestruar nga policia

Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale 3 automjete, të cilat janë përdorur nga autorët e dyshuar, aparate celular, fishekë luftarakë si dhe një sërë provash të tjera, të cilat janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm laboratorik. Materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje iu kaluan Prokurorisë Kavajë për hetime të mëtejshme.

Kronologjia e ngjarjes

Ramazan Hasalli, mesditën e së enjtes, shkoi të blinte bukën si zakonisht në furrën pranë lagjes. Por 50-vjeçari nuk u kthye dot në shtëpi dhe të çonte bukën në familje. Ai u gjet rastësisht në mesin e breshërive të armëve, pas një konflikti që kishin nisur me një grup të rinjsh një natë më parë.

Dy vëllezër, Marjus Alia dhe Denis Alia paraditen e djeshme kanë qenë me makinë dhe kanë filluar  të shtënat me armë në këtë drejtim dhe me pas  breshëria e plumbave ka vazhduar për rreth 40 apo 50 metra në jug të Kavajës.”

Top Channel ka mësuar, se konflikti ka nisur që mbrëmjen e së mërkurës mes Eraldo Hykës dhe Denis Alisë, për të pasur një përplasje tjetër fizike në qendër të Kavajës mëngjesin e së enjtes. Por, kjo nuk ka mjaftuar për të rinjtë, pasi një orë më vonë morën armët dhe i zbrazën ndaj njëri-tjetrit në lagjen numër 2 të qytetit.

Breshëria e plumbave nuk ka kursyer as njerëzit që ndodheshin aty ku për pasojë kanë mbetur të plagosur, Eraldo Hyka, Rustem Berberi, Sali Mekja, Arben Hajdinin dhe autori i dyshuar Marjus Aliu. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, të plagosurit po trajtohen në spitalin e Durrësit dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Sali Mekja dhe Arben Hajdini u plagosen rastësisht. Ata kishin dalë nga lokali aty pranë për të parë se çfarë po ndodhte.

Plumbat e zbrazur me breshëri kapën makinat e parkuara dhe bizneset në zonën e ngjarjes. Marjus Aliu, i plagosur, po mbahet në ruajtje nga policia si autor i dyshuar i ngjarjes, ndërsa vëllai i tij, Denisi, është shpallur në kërkim.

Për këtë ngjarje të rëndë, policia ka shoqëruar disa persona si dhe ka sekuestruar automjetin që përdorën vëllezërit Aliu, si edhe mjetin e palës tjetër.

 

Top Channel