Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në margjinat e Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Poznan të Polonisë, ka zhvilluar sot një takim bilateral me kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May.

Kryeministri Haradinaj falënderoi kryeministren May për mbështetjen historike që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës në periudhat më të rëndësishme të rrugës së shtetndërtimit dhe që po vazhdon t’i japë edhe sot në shumë fusha, dhe ka kërkuar mbështetjen e mëtejme lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

“Kosova ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, në zhvillimet rajonale, veçmas në finalizimin e dialogut me Serbinë, konkretisht në arritjen e një marrëveshjeje finale, me njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, tha Kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar Kryeministren May për qëndrimin konsistent të Britanisë së Madhe kundër idesë për ndryshim kufijsh dhe këmbim territoresh.

Në këtë takim, Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është mirënjohëse për ndihmën e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimin e administratës publike dhe zhvillim ekonomik në Kosovë dhe jemi të përkushtuar që ky partneritet të vazhdojë në të gjitha fushat.

Ndërkaq, kryeministrja Theresa May ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë mbështetjen për vendet e Ballkanit në proceset integruese dhe në krijimin e një stabiliteti ekonomik dhe të sigurisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA