Është identifikuar personi që mbeti i vdekur nga përplasja me armë zjarri në Kavajë. Bëhet fjalë për Ramazan Haslliun, rreth 60 vjeç, i cili ka mbetur rastësisht viktimë e ngjarjes.

Sipas burimeve të Top Channel, Haslliu kishte dalë për të blerë bukën dhe teksa po kthehej për në banesë është goditur nga plumbat.

Të shtënat me armë kanë ardhur nga dy makina që janë shkëmbyer me njëra-tjetrën.

Raportohet për pesë persona të plagosur, të cilët janë transportuar për mjekin në spitalin e Durrësit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se të plagosurit janë Erald Hyka, Rustem Berberi, Sali Mekja, Arben Hajdini dhe Marius Aliaj.

Për këtë ngjarje të rëndë janë ndaluar disa persona, ndërsa shtetasi Denis Aliaj është shpallur në kërkim.

Sherri raportohet se ka nisur mbrëmjen e së mërkurës, dhe mëngjesin e së enjtes janë konfliktuar serish Erald Hykës dhe Denis Alia, e më pas dy të rinjtë kanë marrë armët e kanë hapur zjarr ndaj njëri-tjetrit.

Viktima Ramazan Haslliu, nuk ka qenë i përfshirë me ngjarjen, por plumbat i kanë marrë jetën.

Informacioni paraprak i policisë

Sot rreth orës 12:30 në lagjen nr. 2 Kavajë, pas një konflikti mes disa personave, ka mbetur i vrarë shtetasi R. H., (kalimtar i rastit) dhe kanë mbetur të plagosur 5 shtetas, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe janë vënë në ndjekje të njërit prej tyre.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit dhe nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, shtetasit M. A dhe D. A.

Shtetasi M. A (autori i dyshuar), mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur.

Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, shtetasit D. A. dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij

Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar.

Janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë.

ëGrupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel