Debati për shifrat e pjesëmarrjes në 30 qershor ka dominuar mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, edhe pse nuk ishte në rendin e ditës.

Ka qenë Kreu i KQZ, Klemend Zguri i cili ka propozuar një hetim administrativ kryesisht lidhur me mosrakordimin e shifrave të pjesëmarrjes që ky institucion deklaroi gjatë së dielës deri në mbyllje të votimit.

“Unë propozoj që KQZ të nisë hetimin administrativ për të kërkuar proces verbalet e mbylljes së qendrave të votimit dhe listat ku kanë votuar të gjithë”, tha Zguri.

Propozimi i Zgurit u rrëzua me katër vota nga anëtarët e tjerë të KQZ.

Gjithashtu KQZ ka miratuar edhe nxjerrjen e rezultateve për Bashkinë e Elbasanit dhe atë të Lushnjës, si dhe për këshillat bashkiak të bashkive respektive, me katër vota pro dhe një kundër.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme shqyrtoi projektvendimet

1. “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Elbasan, Qarku Elbasan, në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019”. KQZ vendosi të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit, për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Elbasan, Qarku Elbasan dhe të shpallë fitues kandidatin për Kryetar të Bashkisë Elbasan z. Gledjan Llatja, të propozuar nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

2.       “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zgjedhjen e Këshillit të Bashkisë Elbasan, Qarku Elbasan, në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019”. KQZ vendosi të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për zgjedhjen e Këshillit të Bashkisë Elbasan, Qarku Elbasan.

3.       “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Lushnje, Qarku Lushnje, në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019”. KQZ vendosi të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit, për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Lushnje, Qarku Fier dhe të shpallë fitues kandidatin për Kryetar të Bashkisë Lushnje, z. Fatos Tushe, propozuar nga “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

4.       “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zgjedhjen e Këshillit të Bashkisë Lushnje, Qarku Fier, në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019”. KQZ vendosi të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit, për zgjedhjen e Këshillit të Bashkisë Lushnje, Qarku Fier.

5.       “Për hedhjen e shortit për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.1 paraqitur nga subjekti zgjedhor Partia Emigracioni Shqiptar”. KQZ hodhi shortin për kërkesën ankimore nr. 1, e cila do të relatohet në mbledhjen e datës 05.07.2019.

Top Channel