“Damian ik”, deputeti replikon pas kërkesës për shkarkim: Vetofrohem për zgjidhje, nëse vjen opozita

04/07/2019 10:59

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka replikuar me Ralf Gjonin, deputet i Grupit Parlamentar të Pavarur, pasi ky i fundit i kërkoi të largohej nga detyra si bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Gjiknuri ironizoi opozitën parlamentare duke e krahasuar me PD-në dhe LSI-në që kanë braktisur Kuvendin: “Ata kishin ‘Rama ik’, këta këtu paskan Damian ik”.

Ish-ministri i Transportit u shpreh i gatshëm të vetofrohej për zgjidhje, duke lënë të hapur mundësinë e dorëheqjes, nëse në atë Komision do të hynte edhe Partia Demokratike.

“Z.kryetar, unë nuk kisha ndërmend të flisja por meqënëse mu përmend emri dua të them dy gjëra. Siç duket, çdo opozitë për tu ndjerë e rëndësishme kërkon të gjejë një armik apo ndonjë qëllim. Ata jashtë parlamentit kishin “Rama ik”, këta këtu na paskan dalë me “Damiani ik”. Harrojnë se në pushtet nuk të sjell sistemi dhe as ligjërimi kur të duket vetja se po thua gjëra të mençura por të sjell vota. Nëse vjen Partia Demokratike në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ne e kemi bërë të qartë se dialogu nuk është këtu vetëm për ju por edhe për opozitën jashtëparlamentare dhe ajo do jetë se s’bën. Kur të vine ata me “Damiani Ik” unë vetofrohem si Presidenti për zgjidhje. S’ka problem fare kështu që mos e keni merak”, u shpreh Gjiknuri nga foltorja e Kuvendit.

Komisioni i Reformës Zgjedhore ka dy kryetarë, Damian Gjiknurin nga mazhoranca dhe Rudina Hajdarin nga opozita. Edhe Partisë Demokratike i është lënë një vend për t’iu bashkuar komisionit, por ftesa është refuzuar deri më tani nga demokratët.

Ndërkohë, Ralf Gjoni kërkoi shkarkimin e Gjiknurit nga drejtimi i komisionit për shkak të përfshirjes së të tij në dosjen 184 të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku ai është regjistruar duke diskutuar për “çuna problematikë” në zgjedhje, ndërkohë që opozita e akuzon për manipulim të votave.

Top Channel