Turistët afatgjatë janë të paktë këtë periudhë në Sarandë. Anijet cruiz zbarkojnë shpesh me turistë një ditorë, ndërsa ata që do të frekuentojnë Sarandën e Ksamilin për pushime priten duke filluar nga mesi i korrikut.

Anija nga Serbia që vjen për herë të parë në Sarandë me një grup miqsh thotë se është e kënaqur me ofertën mikpritjen dhe çmimet.

“ Mbërritëm dje, do të shpenzojmë ca ditë këtu dhe do të largohemi. Ushqimi ishte shumë familjar, jo shumë i ndryshëm nga i yni kështu qe na pëlqeu. Plazhi është i pastër, mikpritja shumë e mirë dhe çmimet normale. Ajo që mund ti shtonte Saranda kësaj pjese të plazhit do të ishin disa bare verore me muzikë sepse është pak e zbehtë atmosfera”, tha një turist.

Lena një pushuese nga Norvegjia gjendet prej një jave në Sarandë me pushime dhe e zgjodhi Jugun e Shqipërisë prej rekomandimeve pozitive të miqve të saj që kishin pushuar në Sarandë më parë. E pyetur nëse kishte ndonjë pritshmëri ajo thotë se erdhi në Shqipëri me një ndjesi pozitive dhe nuk u zhgënjye.

” Ne jemi nga Norvegjia. Kemi një javë këtu dhe kemi vizituar disa vende. Çdo gjë qetë dhe mirë. Erdha me një ndjesi shumë pozitive dhe ashtu do të largohem. …nëse duhet të ndryshoni diçka? Jo nuk besoj, është shumë mirë kështu, nuk ka shumë njerëz dhe ndoshta edhe për këtë është shumë mirë”, tha norvegjezja.

Laura dhe mikja e saj Françeska janë ndalur në disa porte gjatë udhëtimit të tyre të parë me një krocierë. Në Sarandë u desh që të transportoheshin me barka në port pasi ende aty nuk ka kapacitete për akostimin e kroçerave por si për një vizitë disa orëshe Saranda ju la ndjesi të mirë.

” Jemi nisur para pak ditësh nga Italia u ndalëm në disa porte, sot në Sarandë dhe pas pak do të largohemi për në Sicili. Vizita këtu ishte e këndshme, plazhi i pastër por duhen më shumë shërbime, tualete në plazh, dushe dhe më shumë njerëz që flasin disa gjuhë sepse për disa vizitorë si ne që flasim vetëm italisht ishte pak e vështirë”, këshilloi Laura.

Vizitorët aktualë dinë pak për situatën politike në Shqipëri por operatorët turistikë flasin për aullime deri në 30% të paketave disa ditore për korrikun dhe gushtin, sidomos rezervime të tregut polak dhe italian.

Çmimet duket se do të përcaktojnë ndjeshëm rregullat e konkurrencës këtë sezon në Sarandë dhe Ksamil. Megjithëse po ofron piku i sezonit ofertat në çmime rreth 5-10 % më të ulëta për rezervimet e verës janë prezent.

Saranda me një kapacitet  akomodues prej rreth 30 mijë shtretër ende dominohet prej turistëve njëditorë të orientuar drejt turizmit kulturor. Ata mbërrijnë për të vizituar Butrintin dhe Gjirokastrën ndërsa kthehen sërisht në mbrëmje në Korfuz.

Saranda  dhe Ksamili u frekuentuan vitin e kaluar nga rreth 900 mijë vizitorë nga më shumë se 100 vende të botës, ku një peshë të rëndësishme zinin turistët rusë dhe polakë. Këtë vit kompanitë turistike flasin për turistë suedezë dhe nga vende të tjera të Veriut të Europës që pritet të vizitojnë Sarandën deri në tetor. Deri tani rreth 140 anije cruiz kanë prenotuar prekje të portit të Sarandës.

 

Top Channel