Skandali në Fiks Fare/ Qytetarja tenton të nxjerrë zaptuesin nga prona e saj me vendim gjykate, ALUIZNI ia legalizon zaptuesit!

03/07/2019 20:48

Fiks Fare denoncoi veprimet e ish-zyrave të Hipotekës dhe Aluiznit në Kavajë, të cilat kanë legalizuar një ambient privat personit që e kishte zaptuar!

Nga ana tjetër, prej 7 vitesh, një familje kishte në dorë një vendim gjykatë që urdhëronte lirimin e dyqanit. Por, po në kaq vite, ata nuk mundën dot që ta largojnë. Dhe në fund, personi që duhet të lironte pronën, aktualisht është bërë pronar i saj. Skandali u denoncua mbrëmjen e së mërkurës në emisionin investigativ, ku qytetarja Rije Tafa thotë se ka një dyqan me sipërfaqe prej 22 metër katrorë, të cilën e ka blerë në vitin 1992.

“E kam dokumentin e blerjes dhe kemi paguar edhe lekët te ushtria. Në atë kohë e kam blerë 180 mijë lekë të vjetra. Gjysmën e mori një shoku burrit, ne morëm 22 metra katrorë. Ne na ra një fatkeqësi me djalin, burri iku në Itali për të kuruar çunin. Ne dyqanin e dhamë me qira. Na erdhi një ditë të bukur informacioni se qiraxhiun e kanë nxjerrë me zor, e kishte nxjerrë me zor, gjoja sikur do të shembej. Dyqanin na e zaptuan. Ai quhet Osman Halili” thotë Rija. Sipas saj, më pas iu drejtua Gjykatës së Kavajës, e cila vendosi që zaptuesi duhet të dalë jashtë, po ai nuk ka dalë.

“Ai s’po e lironte, kur erdhi urdhri për të ALUIZNI, shkova dhe kam shkuar me emrin tim për ta legalizuar. Dokumentet janë aty te legalizimi. Vendimet i kam dhënë doras, jo direkt te Hipoteka. Pronën e ka akoma zaptuesi, e ka rregulluar. Një herë e ka hapur derën, përpara e kishte të ndarë.

Nuk e kam legalizuar, nuk më jepet dyqani. Ai që e ka zaptuar e ka legalizuar. Megjithëse kam gjyqin, është legalizuar në emrin e Osmanit a të djalit të tij. “Kërkoj që të më kthehet prona ime. Tani luftoj e vetme se burri ka ndërruar jetë në Itali. Për hir të fëmijës kemi ikur në Itali. S’kam lënë vend pa shkuar, deri tani asnjë gjë” thotë Rija.

Pas ankesës, qytetarja i drejtohet Zyrës së Kadastës në Kavajë. Takon juristen e cila i thotë se, sipas vendimit të gjykatës, personi duhet që të lirojë pronën. Ajo i thotë se për të gjitha procedurat duhet të marrë avokat, pasi ajo nuk ka kohë.

Pas kësaj sorollatje, gazetarët e Fiks Fare shkuan pranë zyrës së Kadastrës në Kavajë për të kërkuar informacion për pronën e zonjës Rije Tafa. Zyrtarë të kësaj zyre, na vunë në dispozicion të gjithë dokumentacionin. Megjithëse zonja Rije ka vendimin e gjykatës të vitit 2012, ku e detyronin zaptuesin të lironte menjëherë ambientet, e çuditshmja ka ndodhur brënda këtyre zyrave (të Kadastrës), ku Aluizni dhe Hipoteka kanë legalizuar dhe hipotekuar pronën më pas në emrin e zaptuesit.

Agjencia e Kadastrës i vuri në dispozicion Fiks Fare të gjithë praktikës për pronën, ku në asnjë faqe apo rresht nuk është emri i zonjës Rije Tafa apo i bashkëshortit të saj.

Në të gjithë praktikën nuk janë për çudi vendimet e gjykatës që ka fituar zonja Rije Tafa. Në një kohë që familja Tafa kërkonte që të lironte pronën nga zaptuesi, kjo agjenci, më parë Aluizni dhe Hipoteka, kanë hipotekuar pronën në emrin e zaptuesit.

Bashkë me qytetaren, gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan zyrës shtetërore të Përmbarimit në Kavajë. Ilir Merhori, përmbaruesi që ka ndjekur kohë më parë çështjen, thotë se Përmbarimi i Kavajës ka regjistruar rastin në fjalë disa vite më parë. “Kemi bërë lajmërim për ekzekutim vullnetar. Kemi shkuar në terren. Prona ishte tjetërsuar dhe ishte bashkuar me pronën e personit që e ka marrë. Na rezultoi se kufizimet e vendosura nga gjykata kishte disa pasaktësi. Vendimi i gjykatës thoshte lirim sendi me këto kufizime. Prandaj nuk u bë dot ekzekutimi” thotë ai.

Pyetjes së, nëse Përmbarimi e ka çuar vendimin e gjykatës te Aluizni dhe Hipoteka, ai thotë se “në Hipotekë shkon automatikisht se ka qenë palë në gjykim. Zonja ka kërkuar edhe regjistrim. ZVRPP ka marrë dijeni nga gjykata.

Zyra përmbarimore e përcjell vendimin dhe merr urdhrin e ekzekutimit”. Më tej shton se pas vendimit të gjykatës, prona nuk duhej të regjistrohej në emrin e palës tjetër. “Zyra e përmbarimore ka detyrim të ekzekutojë vendimin e gjykatës. Nuk e di ça ka ndodhur në këto 8 vjet vendim. Ka 7 vjet që zonja nuk ka ardhur te ne, unë i kam dhënë një procesverbal, dhe i kemi thënë si duhet të vepronte. Zonja ka vepruar me përmbarim privat” përfundon ai.

FOTO GALERI
4/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA