Lulzim Basha e konsideron nul procesin zgjedhor te së dieles dhe si i tillë ai paralajmëron se opozita nuk do njohë asnjë rezultat të dalë prej tij nga asnjë institucion. Virtualisht sot foli edhe kryedemorkati, ku për herë të parë kishte një reagim për zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Matthew Palmer, i cili para zgjedhejve të 30 qershorit, i kërkoi opozitës të presë ngritjen e ‘Kushtetuteses’ për të kundërshtuar procesin.

“Qëndrimi le ta uzurpojë pushtetin vendor Edi Rama në mënyrë antikushtetuese dhe të paligjshme, se pas ca muajsh do krijojmë Gjykatën Kushtetuese dhe pastaj gjykon ajo me prapaveprim, bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës dhe me parimet bazë të demokracisë.  Opozita nuk i njeh votimet e 30 qershorit dhe nuk ka për t’i njohur. 30 Qershori është nul, sepse cënon sundimin e ligjit dhe nuk mund të prodhojë asnjë përfaqësim politik”, u shpreh Basha.

Kryedemorkati kishte nje reagim edhe për thirrjet e diplomatit të Bashkimit Europian, Luigji Soreca, për dialog mazhorancë-opozitë.

“Ndëshkimi i politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe sundimi i ligjit nuk mund të diskutohen apo negociohen në tavolina politike. E vetmja rrugë drejt politikës normale dhe demokratike është ajo e sundimit të ligjit, që do të thotë, mbi të gjitha, një gjë: ndëshkim të politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet dhe kanë bashkëpunuar me krimin”, tha Basha.

Demokratët më herët denoncuan manipulimin e rezultatit tw 30 qershorit duke hedhur poshtë të dhënat e shpallura nga Komionisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

“Komisionerët socialistë, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të vjedhjeve kanë rritur pjesëmarrjen me 8 përqind, që do të thotë se kanë mbushur kutitë, duke shtuar rreth 280 mijë vota në të gjithë vendin. Ata nuk kanë ruajtur dot as shifrën zyrtare të dhënë nga vetë Komisioni natën e 30 Qershorit. Pjesëmarrja reale ne votimet e paligjshme dhe antikushtetuese të 30 qershorit është 15 përqind”, ka deklaruar Ivi Kaso, sekretar për Çështjet Zgjedhore në PD.

Demokratët akuzuan KQZ-në së për të mos lënë gjurmë, jo vëtëm nuk hodhën online të dhënat mbi procesin, por nuk publikuan asnjë tabelë me rezultatet.

Top Channel