KE i thotë ‘Jo’ Holandës, rrëzon kërkesën për kthimin e vizave

03/07/2019 15:09

Komisioni Evropian ka hedhur poshtë kërkesën e Holandës për rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”, thuhet në përgjigjen e KE.

I menjëhershëm, pas këtij njoftimi, ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama në twitter.

“Ja dhe vizat s’u rikthyen siç predikuan e trumpetuan lajmësit e qametit që s’ndodhi! Komisioni Europian e refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze dhe e vërteta doli fiks siç ishte kur e thamë e shumëkush s’e besoi: Vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter”, shkruan Rama.

Holanda, dorëzoi zyrtarisht në komisionin evropian kërkesën e saj për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Schengen, më 31 maj. Kjo erdhi pas një debati në parlamentin holandez mbi këtë çështje dhe miratimin e një rezolute që iu paraqit më pas qeverisë, e cila nga ana e saj ia përcolli komisionit. Afati për shqyrtimin e kësaj kërkese ishte një muaj.

Procedura e pezullimit të liberalizimit të vizave për një vend jo anëtar të bllokut, në fakt, nuk është jetësuar asnjëherë nga komisioni. Nëse kërkesa e Holandës do të miratohej, atëherë pezullimi i lëvizjes së lirë do të bëhej për një afat 9 mujor dhe gjatë kësaj periudhe, komisioni do të dialogonte me qeverinë, me qëllim që të korrigjoheshin rrethanat në fjalë. Dy javë pas dorëzimit zyrtar të kërkesës së Holandës në komisionin evropian, parlamenti holandez miratoi dhe qëndrimin zyrtar për çeljen e negociatave për Shqipërinë duke bërë të ditur se është kundër hapjes së tyre.

Vendimi i Parlamentit të Holandës u parapri nga disa vizita të deputeteve holandeze, por edhe ministrit të jashtëm të këtij vendi.

Qeveria e Holandës refuzoi rikthimin e vizave, por partitë e djathta në shumicë e votuan rezolutën, e cila u përdor edhe si kalë beteje në luftën politike në Shqipëri. Opozita shqiptare e përdori dokumentin holandez në luftën ndaj qeverisë duke e akuzuar atë si shkaktare. Por për fatin e mirë të të gjithë shqiptarëve, Komisioni Europian refuzoi kërkesën zyrtare të Holandës duke mos ia hequr shqiptareve të drejtën e lëvizjes së lirë në hapësirën Schengen.

Top Channel