Hetim Parlamentar për Metën/ Të hënën votohet në Kuvend ngritja e Komisionit

03/07/2019 15:20

Ofertës të presidentit Ilir Meta për ta votuar populli me 13 Tetor mazhoranca qeverisëse iu përgjigj me futjen në rend të ditës në parlament të hënën ngritjes, së një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, që do të hetojë shkeljet e pretenduara të Kushtetutës.

“Sipas rregullores, Kuvendi diskuton raportin. Me miratimin e raportit ngrihet edhe Komisioni Hetimor, që do të paraqesë raportin përfundimtar. Në rast të mbështetjes nga 94, apo më shumë deputetëve, miratohet shkarkimi i Presidentit. Certifikimi i këtij procesi bëhet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Taulant Balla.

Por nuk ishte e të njëjtit mendim Rudina Hajdari që drejton grupin parlamentar demokrat.

“Ne e shikojmë si një konflikt personal. E në kushtet e tilla, në kushte jo normale, ne kërkojmë që ky komision të shtyhet dhe të ngrihet në një moment kur të kemi një situatë më normale, me një Gjykatë Kushtetuese. Nuk kemi përse nisim diçka edhe ta lëmë përgjysmë”, tha Rudina Hajdari.

Ndërsa grupi i pavarur parlamentar me deputetët e rinj të LSI do të marrë një vendim në lidhje me këtë komision të enjten. Burime nga PS I thanë Top-Channel se kandidati kryesor për ta drejtuar komisionin hetimor për shkarkimin e presidentit është kreu komisionit të ligjeve Ulsi Manja.

Mbrëmjen e 30 Qershorit nga selia rozë kryesocialisti Edi Rama u angazhua për zhvillimin e një debati të brendshëm në PS për të analizuar qeverisjen qendrore dhe vendore, për të programuar të tëra korrigjimet e nevojshme.

Në funksion të këtij deklarimi Edi Rama nuk ka humbur aspak kohë.

Paraditja e të Mërkurës e gjeti kryeministrin për rreth 90 minuta në drejtimin e Kryesisë të PS. Burime nga kjo mbledhje i thanë Top Channel se kryefjala e saj ishte rezultati 30 Qershorit për të cilin kryeministri kërkoi një analizë të gjerë e të thelluar në të gjitha degët e PS në rrethe. Gjetjet e kësaj analize do t’i bëhen publike dhe diskutohen në mbledhjen e asamblesë kombëtare të PS në fund të Korrikut.

Po ashtu Top Channel ka mësuar se kryeministri la dy detyra specifike për dy prej anëtarëve të kryesisë. Për hapjen akoma edhe më shumë të PS përfshi organizimin si dhe forcimit të aspektit dixhital.

Krahas kësaj analize e cila do të fokusohet në dhënien përgjigje të pyetjes përse kaq shumë vota të pavlefshme në të gjithë Shqipërinë, socialistët do ta avancojnë shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Top Channel