Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës reagoi për zgjedhjet lokale të së dielës dhe tha se mirëpret përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave.

“Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë. Pavarësisht pengesave, populli shqiptar, qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan, ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

Selia diplomatike e Washingtonit në Tiranë thotë se në këtë çast, ne iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të respektojnë shtetin ligjor dhe të punojnë brenda institucioneve ngritura për të përcaktuar rrugën përpara për demokracinë shqiptare, përfshi përparimin me reformat e rëndësishme zgjedhore të rekomanduara nga ODIHR. “Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë që do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu.

Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara janë në krah të popullit shqiptar si një vend partner, një mik dhe një aleat. Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë për forcimin e shtetit ligjor dhe ndërtimin e një demokracie më të fortë dhe një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët”, përfundon ambasada Amerikane, në reagimin e parë pas zgjedhjeve të së dielës. Në mbrëmje reagoi edhe Maja Koçijançiç, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherinit, që thotë se “zgjedhjet lokale në 30 qershor në Shqipëri u zhvilluan në një kontekst të ndarjes politike, por në një mënyrë përgjithësisht të qetë dhe të rregullt”.

“Ne morëm parasysh të gjitha vërejtjet paraprake të bëra nga shefi i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR”.Organet lokale të sapozgjedhura tani duhet të jenë në gjendje të punojnë sipas kompetencave të tyre kushtetuese, në dobi të qytetarëve të vendit.

Siç thuhet në mënyrë të përsëritur: qeveria dhe opozita duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike.

Të gjitha institucionet shqiptare dhe udhëheqësit politikë tani duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në vijueshmërinë e zbatimit të procesit të reformës, duke përfshirë rinisjen e reformës së iniciuar më parë të legjislacionit zgjedhor për të adresuar rekomandimet e ODIHR-it”, thotë Koçijançiç.

Top Channel