Në Tiranë kanë pasur të drejtë të shkonin drejt kutive të votimit rreth 660 mijë zgjedhës por kanë votuar vetëm 171 390 prej tyre.

Nga këto vota mbi 11 mijë ishin të pavlefshme në 11 njësi vendore, ndërsa me 152 230 vota Erion Veliaj ka fituar mandatin e dytë në Bashkinë e Tiranës. Në garë me Arben Skënderaj, kandidatin e Bindjes Demokratike, Erion Veliaj ka fituar 94.21% të votave, ndërsa kundërshtari Skënderaj 5.79% të tyre. Teksa njoftoi mëngjesin e sotëm mbylljen e garës, Erion Veliaj në një status në Facebook shprehu mirënjohjen për ata që e kanë votuar si dhe bekimet për kundërshtarin. Ndërkohë që vijon procesi i numërimit për këshilltarët Bashkiakë.

“Kemi dhe dy kutitë e fundit nga 50 që kishim për këshillin. Procesi ka qene i qetë, por i lodhshëm. Ka nisur numërimi në mesnatë deri në mëngjes dje. Dhe sot ka rinisur sërish”, thotë Arbër Dajçi, kryetar i KZAZ nr.38.

Teksa ky proces është drejt fundit, nga 919 kuti votimi kanë mbetur edhe 59 për t’u numëruar; Top Channel ka mësuar se deri më tani PS ka fituar shumicën e këshilltarëve në Tiranë, 51 këshilltarë bashkiakë nga 61, ndërsa Bindja Demokratike, Fryma e Re Demokratike dhe Partia SocialDemokrate këshilltarët e tjerë.

Top Channel