Shqipëria dhe Kosova do të përfaqësohen me ambasada të përbashkëta në vende të ndryshme të botës. Njoftimi është bërë nga dy ministrat Cakaj e Pacolli, gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje midis dy vendeve.
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj priti në Tiranë homologun e Kosovës, Ministrin e Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli. Gjatë konferencës për shtyp Cakaj tha se Marrëveshja ishte në shërbim të interesave të ndërsjellta në arenën ndërkombëtare.
Ministri në Detyrë Cakaj tha se Marrëveshja bazohej në katër shtylla kryesore: politike, diplomatike, aftësitë profesionale të stafit dhe diplomacia kulturore.
Mes të tjerash, nga pikëpamja politike, sqarohet se Republika e Shqipërisë merr detyrime konkrete në prezantim, mbrojtje dhe afirmim të qëndrimeve politike të Republikës së Kosovës në të gjitha rastet ku pjesëmarrja e kësaj të fundit është e pamundur për shkaqe objektive. Për më shumë, Shqipëria do të ndërmarrë një fushatë të veçantë në funksion të forcimit të shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
Nga pikëpamja diplomatike, marrëveshja inicion ngritjen e “Fondit të Përbashkët për Menaxhimin, Ngritjen dhe Zhvillimin e Ambasadave, Misioneve dhe Konsullatave” me qëllim krijimin e hapësirave për përdorim të përbashkët nga dy vendet.
Nga pikëpamja profesionale, marrëveshja parashikon gjithashtu shkëmbimin e personelit diplomatik të Kosovës dhe Shqipërisë në përfaqësitë e njëra-tjetrës në botë dhe Akademitë Diplomatike do të fillojnë punën për krijimin e një programi trajnimi të përbashkët.
Së fundmi, nga pikëpamja e diplomacisë kulturore, marrëveshja detyron palët të zhvillojnë një kalendar të përbashkët të aktiviteteve kulturore me qëllim ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare në botë.
Kjo marrëveshje sipas dy ministrave hap një kapitull krejtësisht të ri të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Nga ana e tij Minsitri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, vlerësoi mikpritjen në Tiranë, duke thenë se edhe Kosova është një dhomë tjetër e shtëpisë sonë të përbashkët.
Duke iu derjtuar z. Cakaj “Vëllau im Gent”, Pacolli u shpreh i ngazëllyer që tashmë kishte ardhur koha që bashkëpunimi midis dy diplomacive ishte në momentin e mundësimit të një marrëveshjeje të tillë.
“Së bashku do të jemi më të fortë,” u shpreh Pacolli.
Top Channel