Ndërkohë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin që në tetor të marrin më në fund dritën jeshile për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, sinjalet që vijnë nga Franca janë shumë pesimiste.
Presidenti Emmanuel Macron është shprehur i vendosur për të bllokuar çdo zgjerim të BE-së derisa të realizohen reformat e thella brenda unionit.
Pas samitit të zhvilluar sot në Bruksel, Macron tha: “Unë do të refuzoj çdo lloj zgjerimi përpara se të arrihet një reformim i thellë funksionimit tonë institucional.”
BE ka hyrë në ngërç pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, pasi drejtuesit e 28 shteteve anëtare po dështojnë të zgjedhin liderët që do të drejtojnë unionin për pesë vitet e ardhshme.
Franca dhe Holanda janë dy shtetet që po bllokojnë hapjen e negociatave për Tiranën dhe Shkupin, ndërkohë që Gjermania është shprehur në favor të dy shteteve ballkanike.
Top Channel