Këtë të diel, qendrave të votimit në Tiranë i janë drejtuar edhe të huajt të cilët kanë marrë shtetësi shqiptare. Një prej tyre është edhe senatori Italian Luciano D’Alfonso, i cili nga viti 2003-2009 ka qenë kryebashkiak i Pescara dhe ka shërbyer si President i rajonit të Abruzzos në Itali.
Në një prononcim për mediat, Luciano D’Alfonso theksoi se i është drejtuar kutisë së votimit pasi vota është një fitore e madhe prej së cilës nuk duhet hequr dorë.
Ai nënvizoi se vota nuk mund të jetë kurrë problem, ndërsa theksoi se të votosh do të thotë edhe të vlerësosh, të njohësh rrugën e madhe që po bën një qytet si Tirana, që gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një qytet referues në të gjithë botën.
“Të votosh nuk mund të jetë kurrë një problem, sidomos për zgjedhjet vendore. Të votosh do të thotë edhe të vlerësosh, të njohësh rrugën e madhe që po bën një qytet si Tirana që gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një qytet referues në të gjithë botën. Tirana po kthehet kësisoj në një kryeqytet botëror, pra jo vetëm i Shqipërisë. Kështu që, të votosh do të thotë të shprehësh vlerësimin tënd. Unë vij nga një shtet i madh siç është Italia, edhe kur ka probleme politike nuk mund të heqësh dorë nga vota. Vota është një fitore e madhe”, tha D’Alfonso.
Ai iu drejtua me një mesazh edhe të huajve të tjerë me të drejtë vote në Shqipëri. “Që duhet mbështetur kjo rrugë e madhe drejt Europës që vë përballë si demokracinë kombëtare të Shqipërisë, ashtu edhe demokracinë lokale të qyteteve si Tirana.
Punë të mbarë kryetarëve të bashkive, një shtrëngim dore për gjithë klasën politike. Unë uroj që të kthehet arsyetimi dhe bashkëpunimi në të gjitha nivelet institutucionale. Shqipëria duhet të jetë një dritë kalimi i Ballkanit drejt Europës”, deklaroi D’Alfonso.
Top Channel