Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ftuar liderin Koreano-Verior Kim Jong Un të takohen në zonën e fortifikuar që ndan dy Koretë.

Në atë që Trump e cilësoi një gjest spontan ai tha në “twitter” se mund ti shtrëngonte dorën Kimit dhe ta përshëndeste atë gjatë vizitës në Korenë e Jugut.
Koreja e Veriut ndërkohë e ka cilësuar këtë një sugjerim shumë interesant.

Presidenti amerikan ka mbërritur në Korenë e Jugut për të diskutuar mbi bisedimet për denuklearizimin e Koresë së Veriut. Nëse Trump dhe Kim do të takohen në zonën e demilitarizuar, atëherë ky do të jetë takimi i tretë i tyre në vetëm një vit dhe i pari që nga samiti i ndërprerë i Vjetnamit, në shkurt.

“Ndoshta mund të takohem me liderin Kim kur unë të shkoj nesër në zonën e demilitarizuar. Meqënëse jam atje mund edhe të shtrëngojmë duart, nuk ka patur teste bërthamore, as teste balistike, ka kthyer pengjet tona dhe shumë gjëra të mira kanë ndodhur”, është shprehur Donald Trump.

Trump po e viziton Korenë e Jugut pas pjesëmarrjes në samitin e G20 në Japoni. Deklarata e tij se ai mund të takohet me Kim Jong un për vetëm pak minuta, ka bërë që disa analistë ta cilësojnë takimin e mundshëm si një shfaqje teatrale. Sidoqoftë, pavarësisht një mungese përgatitjesh diplomatike, të tjerë kanë sugjeruar se një takim ballë për ballë mes tyre mund të ndihmojë në ringrohjen e marrëdhënieve dhe të hapë udhë për bisedime të ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA