Top Channel publikon pamjet e sulmit të pallatit të sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, e përcaktuar si KZAZ. Godina mbahej e mbyllur për shkak se është në pronësi të bashkisë së Shkodrës. Partia Demokratike reagoi për ngjarjen dhe akuzoi nipin e deputetit të PS, Luan Harusha, se ka qenë në krye të këtij sulmi.
Në video shihet se si disa efektivë të policisë përpiqen të bindin personat që të tërhiqen nga shkatërrimi i qepenit të KZAZ-së, por në fund ata që janë tërhequr kanë qenë efektivët. Nga Policia e Shtetit nuk ka ende asnjë reagim për ngjarjen.
Edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila komentoi drejtpërdrejtë në emisionin ‘Open’ këto pamje, tha se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, duhet të ndihet i turpëruar.
Duke folur për 30 qershorin, të cilën nuk e njeh si datë për zgjedhjet lokale, Ademi tha se “i trembem historisë së armëve në Kishë”, duke iu referuar arrestimit të priftërinjve në periudhën e komunizmit.
“Ka shumë mundësi që të manipulojnë situatën duke na provokuar”, shtoi kryebashkiakja.
Top Channel