Erion Veliaj mbylli këtë të enjte fushtën e tij zgjedhore në Tiranë. Në mitingun e fundit, kryebashkiaku i Tiranës ju drejtoj një mesazh të gjithë simpatizantëve të PD, LSI dhe të PDIU.

“Nëse nuk kemi qenë pjesë e familjes tonë, por për herë të parë sot jeni bashkuar, mund të keni qenë me PD, me LSI, me PDIU, por sot ky është mitingu juaj i parë në familjen tonë, ne ju themi mirëserdhët, kjo është edhe familja juaj. Një familje që nuk i le punët në gjysmë, një familje që nuk ju tradhton, një familje patriote që do Shqipërinë mbi çdo interes tjetër. Kjo është familja jonë dhe jeni të mirëpritur. Nëse po dëgjoni ata që mundohen që në 2019, 100 vite pas Tiranës kryeqytet, të mbjellin frikë, ne po ju themi të mbjellim shpresë”- tha Veliaj.

Veliaj theksoi se këto 100 vite si kryeqytet, Tirana ka kaluar shumë sfida, por ia ka dalë të ngrihet.

“Vitin që vjen Tirana mbush 100 vjet si kryeqyteti i gjithë shqiptarëve, me shumë sfida e peripeci, ku kemi parë lloj-lloj pushtuesish, zaptimi. Është rrëzuar, por është ngritur prapë sepse Tirana nuk e ul asnjëherë kokën. 6 muajt e fundit e kemi parë Tiranën, të ndotur, të dhunuar, të vandalizuar dhe e kemi duruar, por në 30 qershor nuk e pranojmë më dhunën, zjarrin sepse Tirana është e jona dhe e fëmijëve tanë. Kjo është Tirana jonë, e njerëzve perëndimor”-tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë të Tiranës, ritheksoi edhe njëhërë, se më 30 qershor e gjithë Shqipëria do të votoje.

“Deri sot mund të kishte njerëz që mund të kishin dyshime, mund të kishte njerëz që kishin hamëndësime, mund të kishte njerëz që kishin një ndrojë, por e tha KQZ, e tha Gjykata, e tha edhe Amerika: Në datën 30 qershor Tirana dhe e gjithë Shqipëria do të shkojë të votojë për punën dhe jo për dhunën, do të shkojë të votojë për ndërtimin dhe jo për shkatërrimin, do të shkojë të votojë për dashurinë dhe jo për zjarrin, do të shkojë të votojë për ta çuar Tiranën dhe Shqipërinë lart dhe jo ta ulim poshtë dhe ta rrënojmë atë”- tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Top Channel