Kryeministri Edi Rama ka vijuar replikat në distancë me kryeopozitarin Lulzim Basha, në një kohë tensioni mazhorancë opozitë po rritet me afrimin e 30 qershorit. Rama kërkon nga Basha që të marrë përgjegjësitë edhe për deklaratën e Zef Hilës, kryebashkiakun e Vaut të Dejës së shkarkuar sot, që, sipas Ramës, ka akuzuar kreun e PD-së për djegien e shkollës.

“Artist, dil jepi xhevap Zef Hilës që tha shkollën e dogje ti me atë fotokopjen e shëmtuar të enveristëve më kokëboshë të 91shit, Aleanca e Demokratëve a si e quan ti! Dil Artist, se është koha të marrësh përgjegjësi për dyfytyrësinë e javës së fundit, hidh gurin e fshih dorën”, shkruan Rama.

Në një reagim të dytë, Rama komenton shkresën e Voltana Ademit, e cila urdhëron punonjësit e bashkisë së Shkodrës që të jenë në punë të shtunën dhe të dielën.

“Dhe meqë jemi tek dora jote e fshehur dhe gurët e tu të hedhur, po këtë shkresën e kësaj Qamile Haxhiut të Shkodrës e ke urdhëruar ti apo e ka bërë në kokë të vet kjo molotokratja? Dil sqaroje Artist ç’është ky pasion për punë në ditë pushimi në një bashki që ka 4 vjet në gjumë”, thotë Rama.

Top Channel