Policia e Kamzës ka parandaluar  vrasjen e dy personave, falë ndërhyrjes në kohë të saj. Burimet zyrtare raportojnë se janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, si dhe bllokohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, që dyshohet se do ta përdorin dy të arrestuarit ndaj dy shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt.

Shërbimet e Policisë  të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, pas marrjes së informacionit se në Valias po ndodhte një konflikt i ashpër midis disa personave, organizuan menjëherë punën dhe me veprimet e shpejta dhe profesionale bënë të mundur parandalimin e mëtejshëm të këtij konflikti duke arrestuar në flagrancë dy shtetas: B.S., 40 vjeç, banues ne Valias; S.S., 39 vjeç , banues në Valias, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” .

Gjithashtu falë veprimeve të shpejta është bërë e mundur edhe bllokimi i armës së zjarrit Kallashnikov me dy karikatorë me fishekë, me të cilën këta dy shtetas dyshohet se do vrisnin dy shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt. Po në cilësinë e provës materiale është bllokuar dhe automjeti i autorëve të kësaj ngjarjeje tip Porsche Cayenne.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur ne tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Top Channel