30 qershori, Britania: Përmbahuni nga provokimet. Liderët t’i japin fund politikës në rrugë pa krye

28/06/2019 16:36

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka reaguar për 30 qershorin, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë për të hedhur votën në mënyrë të sigurtë dhe paqësore.

Pasi theksohet se çdo formë e nxitjes së dhunës është e papranueshme, në reagimin e Ambasadës Britanike kërkohet nga liderët e politikë që të përmbahen nga provokimet dhe retorike nxitëse. Atyre u kërkohet gjithashtu që të përfshihen në dialog konstruktiv për t’i dhënë fund kësaj politike në rrugë pa krye.

“Mbretëria e Bashkuar beson se qytetarët kanë të drejtën për të hedhur votën në mënyrë të sigurtë dhe paqësore. Të gjithë të përfshirët në 30 qershor, të dielën, duhet të luajnë pjesën e tyre për të siguruar një mjedis paqësor dhe të sigurtë. Çdo formë e nxitjes së dhunës është e papranueshme. Ne mbështesim misionin ndërkombëtar të OHDIR për të monituar procesin e votimit.

Në protestën e fundit të mbajtur më 21 qershor 2019, ne pamë një demonstratë paqësore që mbajti lart vlerat demokratike dhe ne nxisim që të njëjtat parime të ndiqen edhe në 30 qershor.

Ne i kërkojmë lidërve politikë të përmbahen nga provokimet dhe retorika nxitëse. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për të gjitha palët që të përfshihen në një dialog konstruktiv për t’i dhënë fund kësaj politike në rrugë pa krye. Shqipëria këtë mund ta bëjë vetëm nëpërmjet bisedimeve për të zgjidhur situatën aktuale politike dhe të përqendrohen në krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe reformës zgjedhore duke përfshirë rekomandimet e mëparshme të OHDIR”, thuhet në deklaratë.

  Zgjedhjet e 30 qershorit, ambasadorja gjermane: Pengoni çdo formë dhune

Top Channel