Presidenti Meta në një deklaratë për mediat ka konfirmuar se 13 Tetori 2019, do të jetë edhe data e re e zgjedhjeve.

“Dekreti për datën e re të zgjedhjeve, që është data 13 tetor. Dy arsyet pse kam vendosur këtë datë, sepse është dita më e shpejtë për të organizuar zgjedhjet vendore gjithëpërfshirëse. Arsyeja e dytë është sepse si e kam nënvizuar edhe në 8 qershor, kur e zhdekretova datën e zgjedhjeve, ka të bëjë me garantimin e vazhdimësisë të integrimit europian, të mos shkëputjet të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për çeljen e negociatave. Kemi humbur shumë kohë, por për fat të mirë në axhendën e BE është për të marrë një vendim për çeljen e negociatave në tetor, dhe mbledhja është me 18”, tha Meta.

“Ju kujtoni që unë jam aq i pashpresë sa ai nuk do të reflektojë?” Kështu u përgjigj Presidenti Ilir Meta sa i përket asaj se çfarë do të bëjë kryeministri Edi Rama, nëse do të këmbëngulë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 30 qershor, apo nëse do të vendosë që ato të zhvillohen më 13 tetor, siç Meta firmosi në dekret këtë të enjte, vetëm tre ditë para zgjedhjeve të së dielës.

Megjithatë, teksa kreu i shtetit ishte në konferencë për media, kryeministri Rama reagoi duke e quajtur nul edhe këtë dekret.

Gjithsesi, Meta nuk harroi të theksonte se ai nuk është pjesë e thirrjes “Rama ik”, por bën thirrjen “Rama, reflekto”.

Paraditen e së enjtes, Presidenti Meta zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të partive opozitare si dhe disa ambasadorë. Ndërkohë që kryeministri Rama refuzoi që një ditë më parë ftesën e Presidentit Meta për dialog në Presidencë.

Më herët ishin burime diplomatike që bënë me dije për Top Channel, se Presidenti Meta do të shpallë një dekret të ri për datën e zgjedhjeve.

“Në Përditësim”….

Top Channel