
Fundi i këtij sezoni në futbollin Europian koinçidoi me përfundimin e kontratave të shumë futbollistëve të njohur, gati tashmë të provojnë një aventurë të re larg ekipeve, që nuk po i konsiderojnë.
Të ashtuquajturat goditje me parametër zero, për të cilat shpenzohet kohë në tratativa por jo sforcime financiare, në kontinentin e vjetër janë të shumta.
Daniele De Rosi asnjëherë më parë nuk kishte menduar për të braktisur Romën por tani është detyruar të gjejë një ekip tjetër, i konsideruar i pavlefshëm në moshën 35 vjeç.
Italiani ka shumë admirues në mbarë Europën, por po joshet nga një kalim në kampionatin amerikan.
Shumë interes ka zgjuar edhe dyshja veterane e Bajernit, Riberi’ dhe Roben. për francezin ka hipoteza për lamtumirën por ofertat nga Japonia dhe Austria, po e bëjnë të rimendojë fazën e fundit të karrierës. Ndërkohë holandezi Roben po profilizon një rikthim në vendlindje, te PSV Eindhoven, pa kosto por me shumë bujë.
Një tjetër veteran i fushave të futbollit, Daniel Alvesh kërkon të rikthehet te Barcelona, por nuk ka zgjuar interesin e katalanasve. Braziliani nuk do luajë më te Paris Saint Zhermen, dhe mund të rikthehet në kampionatin karioka.
Mes emrave që spikatin në ruletën virtuale të merkatos Europiane të futbollit është edhe Xhanluixhi Bufon. Portieri kërkon sfidën e fundit në karrierë, atë që mund ta rikthejë te Juventus si zëvendësues e më pas në rol drejtues, por për të formalizuar kontratën, do të duhen më shumë se këto javë të fundit të Qershorit.
Top Channel