Orët e para mëngjesin e së mërkurës, si pasojë e një aksidenti rrugor, një 18 vjeçar ka humbur jetën, ndërsa kanë mbetur të plagosur katër të tjerë. Gjatë muajit qershor dhe korrik, pas përfundimit të provimeve, gjimnazistët festojnë mbrëmjen e maturës, shpesh duke abuzuar me alkoolin edhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre drejtojnë makinën.

Aksidenti me një të vdekur dhe katër të plagosur ka ndodhur në autostradën Lushnjë-Fier, ku dyshohet se të rinjtë pas konsumit të madh të alkoolit, kanë bërë gara me makina në këtë rrugë. Si pasojë, në këtë aksident janë përfshirë tre automjete.

Pothuajse çdo vit, në këtë periudhë ka pasur aksidente që janë shkaktuar nga nxënësit që dalin nga mbrëmja e maturës. Për shkak të konsumit të alkoolit ata janë në pamundësi për të drejtuar mjetin, duke u kthyer në burime aksidentesh.

Vitin e kaluar, një grup maturantësh të cilët drejtonin makinën pa patenta dhe me shpejtësi të lartë, u aksidentuan nga rrugën Fushë-Krujë Laç, duke mbetur të plagosur.

Një aksident i ngjashëm, po vitin e kaluar, ndodhi në rrugën Fier-Dalluas, ku tre maturantë mbetën të plagosur.

Ndërkohë që vëmendja e maturantëve është te përzgjedhja e veshjes dhe makinës me të cilën do të shkojnë në festën e tyre, prindërit janë më të shqetësuarit.

Top Channel pyeti disa prindër nëse do të lejonin fëmijët e tyre që të shkonin në mbrëmjen e maturës me makina të cilat fëmijët i drejtojnë vet, ata shprehen me rezerva.

Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije për Top Channel, se do të ketë patrulla të shtuara në akset ku mendohet se maturantët do të kalojnë me makina. Po ashtu, edhe drejtoritë e shkollave i kanë kërkuar policisë që të qëndrojë pranë ambienteve ku do të kryhen mbrëmjet e maturës, me qëllim parandalimin e aksidenteve nga maturantët që drejtojnë mjetin pa patentë dhe nën drejtimin e alkoolit.

Top Channel