Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ka dalë këtë të martë para Komisionit të Posaçëm të Apelimit, ku do të vlerësohet konfirmimi ose jo në detyrë i tij.
Në gusht të vitit të kaluar Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.
“Pasi vlerësoi edhe rekomandimin përkatës nga tre vëzhguesit e ONM, ankimuam vendimin e KPK që konfirmonte në detyrë Zaganjorin. Komisioneri Publik arrin në konkluzionin se KPK është mbështetur në arsyetime dhe qëndrime jo të sakta, lidhur me zbatimin e dispozitave kushtetuese dhe ligjeve”, tha Komisioneri Florian Ballhysa gjatë seancës, duke shtuar se ka probleme në deklarimin e pasurisë. “Vlera në lek për këto pasuri e deklaruar në 2003-shin dhe vlerë në lek në deklarimin e tij rezulton si në vijim: Për apartamentin në 2003 vlera është 7 milionë e 400 mijë lek, ndërsa në deklarimin e tij vlera është 5 milionë e 800 mijë lekë. Me një diferencë prej 1,6 milionë lekë. Për bibliotekën, në 2003-shin vlera në lek është 1,8 milionë lekë, ndërsa në deklaratën e tij ajo rezulton 1,4 milionë lek, etj. Në total vlera e pasurive të tij në deklaratën vjetore të viti 2003 është deklaruar 10 milionë e 700 mijë lekë, ndërsa në deklaratën e tij është deklaruar 8 milionë e 400 mijë lek. Lidhur me pasaktësitë në vlerat e deklaruar konstatuam se për apartamentin në 2003-shin, subjekti i vlerësimit vlerëson se diferenca është pasaktësi për mos përfshirjen e arredimit me vlerë 1,6 milionë lekë.
Në vlerësimin e komisionerit për pasuritë bodrum, zyrë dyqan dhe apartament Xhezair Zaganjori ka mungesë të burimit të ligjshëm që kanë shërbyer për krijimin e tyre, si dhe nuk ka argumentuar qeratë ne vlerën 8.4 milionë lekë.
“Në kundërshtim me argumentet e KPK, nuk krijohet bindja se subjekti ka argumentuar me prova pasuritë. I kërkojmë KPA të vendosë ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të zotit Xhezair Zaganjori”, u shpreh Komisioneri Florian Ballhysa gjatë seancës dëgjimore në Komisione e Posaçëm të Apelimit.
Ndërkohë që vetë kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, teksa u tregua i gatshëm për bashkëpunim është shprehur se nuk bie dakord me gjetjet e Komisionerit Publik.
“Kam lexuar me vëmendje Apelin e Komisionerit Publik dhe apelin kundërshtues e kam bazuar tek çfarë referon Komisioneri Publik. Mu desh ta beja apelin kundërshtues brenda 3 ditëve. Shumë fakte dhe gjetje konstatoj që janë të reja, jam gati të përgjigjem megjithatë. Disa gjetje sillen si risi. Jam përpjekur të gjej disa dokumente që do t’ua lexoj, apeli im kundërshtues është 35 faqr, kam sjelle 23 prova te reja. Jam kundër për të gjitha gjetjet e Komisionerit Publik. Do kisha dashur të isha pyetur më para sepse shume dokumente i kam marrë me vulë apostile, dhe e kam marrë të mirëqenë që janë pranuar. Komisioneri për çdo gjetje ju referua nenit d të Kushtetutes. Jam i gatshëm të bashkëpunoj për sqarimin e çdo situate”
Duke kundërshtuar gjetjet për pasuri të paligjshme, Zagnjori tha se:S’jam dakord me gjetjen e Komisionerit Publik që për mos pagimin e tatimeve e konsideron më pas pasuri të paligjshme. Bëhet fjalë për pasuri të fituara në mënyrë të ligjshme, sigurisht që nuk mund të vihen në dyshim për shkaqe të mëvonshme pasi këto pasuri janë regjistruar. Organet e vettingut, të cilat funksionojnë si Gjykatë kanë në dorë të argumentojnë bindshëm dhe të vendosë lidhur me faktet dhe tërësinë e tyre. Përndryshe do ishte një ndërgjegje elektronike, atëherë kot do ishin organet e vettingut. Për mua pasuria është krijuar nga format klasike mbi fitimin e pronësisë, kështu që Komisioneri Publik gabon.
Vendimi për konfirmimin e tij u mor më 24 korrik 2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse ndaj tij, nga trupa e KPK-së.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga: Kryesuese:Albana Shtylla; Relatore: Rezarta Schuetz; anëtarë:Luan Daci, Natasha Mulaj, Sokol Çomo.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve për vettingun dhe përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Top Channel