Administratori Novoselës ka thënë se rrugën do t’a shtrojnë pasi është bërë tenderimi, por ka hall mos thonë e bëjnë për fushatë.
Banorët e fshatit Cerkovinë ankohen për kamerën e Fiks Fare se prej shumë vitesh nuk kanë rrugë e ujë. Janë rreth 600 banorë, vetëm 10 km larg Vlorës, që nuk kërkojnë as bukë as punë, por vetëm ujë dhe rrugë. Sipas tyre, numri i vogël i votave që ky fshat ka, ka sjellë që pushteti lokal ta harrojë atë duke e lenë në mëshirë të fatit.
Sipas banorëve ujë vjen vetëm gjysmë ore një herë në tre ditë. Ka vite qe nuk investohet. Lahen me ujë pusi, kush ka, dhe kush mundet i jep komshiut. Depoja e ujit është bosh, çezmat e shtëpive janë tharë, lavamanët dhe banjat e qendrës shëndetësore kanë dalë jashtë përdorimit pasi ujë nuk ka. Një zonjë e fshatit, që ishte 82 vjeçe, tregon se dikur, në kohën e “xhaxhit” vinte ujë më gurgullimë. “Tani s’kemi pikën” Ajo është detyruar të ndërtojë një pus me të cilin ndihmon edhe fqinjët e saj.
Rruga e fshatit, është me gropa dhe herën e vetme dhe të fundit është ndërhyrë për ta sistemuar 4 ditë para zgjedhjeve të fundit kur hodhën edhe rërë bituminoze, por që atëherë banorët thonë që rruga është bërë dhe me keq dhe se kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët. Kanan Shakaj, administratori i Novoselës, i intervistuar nga Fiksi, pranon se shqetësimi i banorëve është i drejtë.
Sipas tij, për ujin është bërë gati projekti dhe nis nga vjeshta, ndërsa që sot do t’i çojnë një bot për t’i furnizuar me ujë, pasi problematika ka nisur me vapën. Në dimër , sipas tij, është pak më ndryshe. Ndërsa për rrugën është bërë tenderimi, por pritet vetëm zbatimi. Ai shprehet se kanë hall që ta shtrojnë tani, pasi do të thonë që u bë për fushatë. Megjithatë, ai i premton banorëve nëpërmjet Fiksit se brenda 15 ditëve rruga do të jetë sistemuar.
Top Channel