Policia e ka ende të vështirë të zbulojë vjedhjet e kryera. Të dhënat e vëna në dispozicion për Top Channel, tregojnë se puna zbuluese e policisë për vjedhjet është e ulët, rreth 48%.

Në vetëm pesë muajt e parë të këtij viti, janë kryer rreth 2200 vjedhje të kategorive të ndryshme, ndërkohë që nga këto, janë zbuluar vetëm 1063 vjedhje.

Këto të dhëna tregojnë që policia ka arritur të zbulojë vetëm një në dy vjedhje të kryera.

Qarku i Tiranës dhe Vlorës, kanë edhe numrin më të lartë të vjedhjeve, ndërsa Gjirokastra dhe Kukësi, janë qarqet që kanë më pak vjedhje.
Shqetësuese mbetet puna zbuluese e policisë për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e vjedhjeve.

Qarqet me numrin më të ulët të zbulimit të vjedhjeve nga policia, janë Durrësi dhe Dibra, ku në të dyja qarqet, janë zbuluar vetëm 1 në 3 vjedhje.
Ndërsa, dy qarqet me numrin më të lartë të zbulimit të vjedhjeve janë Lezha dhe Shkodra. Në Lezhë, 3 nga 5 vjedhje të kryera janë zbuluar nga policia, ndërsa në Shkodër, janë zbuluar 4 nga 5 vjedhje të kryera.

Një nga vjedhjet e cila lakmohet më shumë nga hajdutët, janë shtëpitë. Në pesë mujorin e parë të këtij viti, në Shqipëri, janë vjedhur mesatarisht rreth 4 shtëpi. Qarqet me numrin më të lartë të këtyre vjedhjeve janë Tirana dhe Vlora me nga rreth 120 shtëpi të vjedhura në 5 muajt e parë të këtij viti.

Në Vlorë , policia ka zbuluar vetëm 1 në tre raste të vjedhjes së shtëpive, ndërsa në Tiranë, pothuajse 1 në dy vjedhje është zbuluar.
Nga të dhënat që Top Channel disponon, vjedhjet e papërcaktuara dhe ato të mbetura në tentativë, zënë numrin më të lartë të vjedhjeve në total. Për këtë kategori, policia ka zbuluar po thuajse 1 në dy vjedhje.

Vjedhja e energjisë elektrike renditet pas vjedhjes së shtëpive. Për këtë kategori, policia nuk ka arritur të zbulojë vetëm dy raste nga 284 vjedhje në total.

Mbi 2200 vjedhje të kryer gjatë pesë mujorit të parë të këtij viti, kanë pasur 1477 autorë, ku pjesa më e madhe e tyre po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa një pjesë tjetër e konsiderueshme janë arrestuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA